Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës kërkojnë që shtatorja e Skënderbeut, e vendosur për festat e Nëntorit në Komunën e Prizrenit, të rimodelohet dhe të zhvendoset. Nënkryetari i PDK Shaqir Totaj dhe deputetja Eliza Hoxha kanë mbajtur sot një konferencë dhe kanë kritikuar Komunën e Prizrenit.
Totaj ka thënë se duke filluar nga vlera artistike e shtatores e deri te vendndodhja ku komuna ka vendosur shtatoren e Skënderbeut, janë jo të denja për heroin tonë kombëtar.Ai deklaroi se PDK ka kërkuar ndryshimin e vendit por kjo kërkesë është injoruar nga kyetari i Komunës Mytaher Haskuka.
“E para, lokacioni i përzgjedhur nuk është i denjë për vendosjen e shtatores së Skënderbeut. Ai është i izoluar dhe shumë hapësirë e fshehur e qytetit. E dyta, për shkak të trafikut të dendur në atë rrethrrotullim ku është vendosur shtatorja, shumë lehtë mund të shkaktohen aksidente dhe rrezikohet jeta e vizitorëve të mundshëm. E treta, dega e PDK-së në Prizren përmes asamblistëve të saj në fazën e parë, para së të merret vendimi, ka tërhequr vëmendjen për lokacionin jo adekuat dhe ka kërkuar lokacion tjetër më të përshtatshëm, por që është injoruar nga kryetari Mytaher Haskuka”, ka thënë Totaj.
PDK kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje, partinë e Haskukës. Sipas Totajt, pushteti lokal i VV-së injoron sugjerimet dhe tregohet mospërfillëse ndaj figurës së Skëndërbeut. Ai shtoi se Haskuka është përpjekur të heq përgjegjësinë nga vetja.
“Madje Haskuka u përpoq një ditë më herët nëpër studio televizive ta largojë përgjegjësinë nga vetja duke gënjyer publikisht se ai nuk ka qenë shumë në rrjedha për shtatoren sepse për pamjen e tij finale është përkujdesur një shoqatë e komuna ka caktuar veç lokacionin.
Keqqeverisja përveç pothuajse të gjitha fushave tjera ku ka dështuar, shkon aq larg sa që tallet edhe me vet figurën e Skënderbeut e rrjedhimisht edhe me historinë e ndritshme kombëtare simbol i të cilës është vet Gjergj Kastrioti”, u shpreh Totaj.
Totaj ka bërë të ditur se PDK në Prizren do të filloj me mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë te jashtëzakonshme të Asamblesë Komunale ku do të kërkohet rimodelim i shtatores se Skenderbeut dhe ndryshimin e vendndodhjes, sepse figura e tij meriton vend më të mirë.
Ndërkohë, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se shtatorja e vendosur në Prizren është fyerje për vetë figurën e Skënderbeut dhe qytetin.
“Arti është diçka që përjetohet nga të gjithë dhe qytetarët nuk janë naiv sa pushteti komunal i Vetëvendosjes mund t’i cilësoj. Përmendorja e Skenderbeut e shpalosur para nesh është fyrje për vet ‘figurën e Skenderbeut por edhe për Prizrenin”, është shprehur Hoxha.