Të paktën 17 persona mbetën të vrarë, 4 prej të cilëve fëmijë, pasi dy raketa ruse goditën një ndërtesë apartamentesh shumëkatëshe dhe një qendër rekreacioni në Odesa.
Forcat e armatosura të Ukrainës lëshuan një alarm duke u kërkuar banorëve të kërkonin strehim pasi tre shpërthime dhe alarme sulmi ajror u dëgjuan pak para orës 1 të mëngjesit me orën lokale.
Zëdhënësi ushtarak i Odesa-s, Sergei Bratchuk, shtoi se një “raketë armike” kishte goditur qytetin port jugor dhe “Për fat të keq, ka viktima”. Bratchuk më vonë tha se sulmi me raketa u krye nga “aeroplanë strategjikë” nga drejtimi i Detit të Zi.
“Njëra raketë goditi një ndërtesë banimi nëntëkatëshe, tjetra – në një qendër rekreative në rajonin Belgorod-Dniester,” tha ai.
Shërbimet e urgjencës shtetërore të Ukrainës (SES) thanë se që nga ora 6 e mëngjesit të së premtes, 14 persona ishin vrarë dhe 30 u plagosën – përfshirë tre fëmijë – në sulmin në ndërtesën e apartamenteve.
Tre persona – duke përfshirë një fëmijë – u vranë në një sulm të veçantë në një qendër rekreative, me një të plagosur, tha SES. Vlen të theksohet se, në fillim të kësaj jave, dy raketa ruse X-22 goditën një qendër tregtare të mbushur me njerëz në qytetin qendror të Ukrainës Kremenchuk të hënën pasdite, duke vrarë të paktën 18 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.
Ministria ukrainase e mbrojtjes tha se sulmi ishte planifikuar qëllimisht që të përkonte me orët më të ngarkuara të qendrës tregtare, teksa më shumë se 1,000 njerëz gjendeshin brenda ndërtesës, për të shkaktuar numrin maksimal të viktimave.