
Ministrja e Energjitikës Belinda Balluku u është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit në disa konferenca shtypi, ka bërë përgjegjëse qeverinë për situatën energjitike.
Duke folur në emisionin “Kjo Javë” në “News24”, Balluku u shpreh se Berisha është shkaktari kryesor të dëmtimit të sistemit energjitik.
“Siç e ka thënë edhe kryeministri nuk merremi me përgjigje për askënd nga ata që janë shkaktarët kryesore të dëmtimit të sistemit elekto-energjitik. Është qesharake që akuzat vijnë nga persona që kanë kontribuar personalisht për shkatërrimin e sistemit. Kaskadat janë privatizuar në 2013 diçka e paprecedentë dhe nuk e di se ku mund të gjesh një situatë të tillë. Të dëgjosh sot ata të japin mend është një humbje kohe për të gjithë shqiptarët”, tha ajo.
E pyetur për çmimin e energjisë Balluku shprehu garanci se nuk do të rritet dhe se konsumatori shqiptar do të mbrohet. “Nuk mundet që të gjithë të paguajnë të njëjtën çmim. Ndriçime pishinash, oborresh të kenë të njëjtën trajtim edhe për ata që e kanë për konsum bazik. Konsumatori do të mbrohet duke mos rritu asnjë qindarke çmimin e energjisë. E kemi thënë edhe për biznesin e vogël. 700 kë i përkojnë një konsumi mesatar dhe të kënaqshëm të një familje. Nuk ka një vendim për rritjen çmimit. Jemi në analizë akoma. Më pas do të vendosim si do të procedojmë. Kjo ka ardh si kërkesë e familjarëve vetë. ERE është institucion që zgjidhet nga Parlamenti por nuk shikoj ndonjë arsye se pse mos të zbatohet”, tha ajo.