Aktualitet 8 Shtator 2022, 21:18

Sulmet e Iranit/ Shqipëria marrëveshje me vendet partnere për hetimin e krimeve kibernetike, skuadra të përbashkëta hetimore dhe shkëmbim informacioni

Shkruar nga Pamfleti

Sulmet e Iranit/ Shqipëria marrëveshje me vendet partnere për hetimin e krimeve kibernetike, skuadra të përbashkëta hetimore dhe shkëmbim informacioni

Qeveria dërgon në Kuvend marrëveshjen e bashkëpunimit me vendet partnere për të goditur krimin kibernetik. Ndihmë urgjente, procedime dhe hetimet të përbashkëta ndaj personave dhe grupeve të krimit kibernetik.

Shkruan Adriatik Doci 

Pas identifikimit të Iranit si urdhërues i sulmit të rëndë dhe të paprecedentë kibernetik ndaj Shqipërisë, qeveria shqiptare mos merr masa të tjera, për goditjen e sulmeve të ngjashme në të ardhmen. Krahas shkëputjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe largimin të trupës diplomatike nga Shqipëria, qeveria ka depozituar në Kuvend një marrëveshje për lehtësimin bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën penale, me vendet partnere, me qëllim rritjen e efikasitetit në hetimin e veprave penale në fushën kibernetike.

Marrëveshja mundëson që Shqipëria të bëhet pjesë e në protokollin e dytë shtesë të Konventës për Krimin Kibernetik mbi bashkëpunimin e zgjeruar, zbulimin e provave dhe marrjen e pronave në formë elektronike, mbi një krim kibernetik, siç ndodhi disa javë më parë në Shqipëri.

“Nisur nga zhvillimi shumëdimensional i kriminalitetit dhe formave të tij, si dhe i zhvillimeve teknologjike, është e rëndësishme që legjislacioni i brendshëm të përqaset me këto zhvillime, duke mundësuar një bashkëpunim të thjeshtuar me autoritetet e shteteve palë, si dhe marrjen e provave në formë elektronike. Përpos aderimit në këtë protokoll të dytë shtesë, është e nevojshme të ndërmerren masa ligjore në aktet e brendshme për përshtatjen e legjislacionit me standardet e vendosura nga protokolli”, thuhet në relacionin shpjegues.

Po çfarë parashikon protokolli i dytë shtesë i Konventës për Krimin Kibernetik dhe çfarë përfiton konkretisht Shqipëria?

Me miratimin e marrëveshjes, Shqipëria mund të ngrejë me një ose disa vende, ekip të përbashkëta hetimor, për të mundësuar hetime dhe procedime penale për një sulm kibernetik serioz. Shtet palë mund të autorizojnë prokurorë, gjyqtarë dhe zyrtarë të tjerë të lartë ligjzbatues që drejtojnë hetimet ose procedimet e përbashkëta penale.

Shqipëria mund t’i kërkojë çdo shteti që është pjesë e konventës, informacion specifik mbi një sulm dhe krim të dyshuar kibernetik. Shteti tjetër duhet të japë sa më shpjet, po jo më vonë se sa 45 ditë, të dhënat e kërkuara. Protokolli parashikon edhe marrjen e dëshmisë dhe deklaratave nga një dëshmitar ose ekspert me anë të video-konferencës.

Kërkesa mund të bëhet në formë elektronike dhe gjithashtu informacioni dhe ndihma mund të jepet në të njëjtën formë. Çdo vend anëtar duhet të caktojë një pikë kontakti, për shkëmbimin e informacioneve. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës krijon dhe mbaj të përditësuar një regjistër të autoriteteve të caktuara nga palët për kërkesat dhe dhënien e informacionit.

Konventa parashikon që një shtet anëtar mund të kërkojë ndihmë dhe informacion të përshpejtuar, kur çmon se ekziston një rast urgjent. Nëse këto raste, pikat e kontaktit duhet të kenë aftësinë për të transmetuar dhe marrë kërkesa të tilla në rast urgjence, pa qenë e nevojshme që të përgatitet dhe transmetohet paraprakisht një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë, sipas procedurës së zakonshme.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Aktualitet #krime kibernetike Adriatik Doçi