Bota14 Mars 2022, 18:00

Sulmet ruse, administrata Biden po “peshon” përshpejtimin e procedurave për disa refugjatë ukrainas

Shkruar nga Pamfleti
Sulmet ruse, administrata Biden po “peshon” përshpejtimin e

Sulmet ruse, administrata Biden po "peshon" përshpejtimin e procedurave për disa refugjatë ukrainas

“Administrata Biden po shqyrton përshpejtimin e rivendosjes në SHBA të refugjatëve ukrainas që  kanë pasur lidhje më herët me Amerikën, përfshirë këtu edhe familjet që tashmë jetojnë aty”– kështu është shprehur një zyrtar amerikan, pas thirrjeve në rritje të avokatëve për të bërë më shumë për miliona njerëz që ikin nga Ukraina e shkatërruar nga lufta.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe Zv. presidentja, Kamala Harris janë zotuar vazhdimisht për të mirëpritur refugjatët ukrainas në SHBA, por realiteti për ata që përpiqen të rilidhen me familjen e tyre në SHBA është i ndryshëm.

Gati 3 milionë njerëz tashmë janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje, sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët. Megjithëse, shumica e refugjatëve ukrainas ka të ngjarë të qëndrojnë në Evropë, ka nga ata që duan të vijnë në SHBA ku kanë familje. Ka mbi 1 milion njerëz me prejardhje ukrainase në Shtetet e Bashkuara, sipas vlerësimeve të regjistrimit të vitit 2019.

Opsionet për refugjatët ukrainas që kërkojnë të vijnë në SHBA janë të kufizuara. Procesi i rivendosjes së refugjatëve në SHBA, për shembull, mund të marrë vite për t’u përfunduar. Kjo ka bërë që avokatët të kërkojnë përshpejtimin e procesit për njerëzit që tashmë kanë të afërm në SHBA dhe mund të vendosen më lehtë aty ku ndodhen ata anëtarë të familjes.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se SHBA po punon me aleatët dhe partnerët evropianë, së bashku me organizatat ndërkombëtare, për të mbështetur njerëzit e zhvendosur nga lufta.

“Nëse ka ukrainas që nuk janë në gjendje të qëndrojnë të sigurt dhe për të cilët zhvendosja në Shtetet e Bashkuara është një alternativë më e mirë, ne do të punojmë me UNHCR-në dhe BE-në për të konsideruar këtë zgjidhje. Ky nuk është një proces i shpejtë, kështu që ne do të shohim edhe opsionet e tjera se çfarë mund të bëjmë më shumë”- tha zëdhënësi përmes një deklarate të enjten e kaluar, duke vënë në dukje se SHBA pret që ukrainasit të kërkojnë të qëndrojnë në vendet fqinje ose Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, deputeti demokrat i Nju Jorkut, Tom Suozzi, pritet të kërkojë që administrata të japë viza turistike për ukrainasit që kërkojnë të udhëtojnë në SHBA, edhe pse kjo ka sfidat e saj.

Për të marrë një vizë turistike, ukrainasit duhet të aplikojnë, të marrin një takim në një konsullatë amerikane dhe të provojnë se po vijnë në SHBA për një periudhë të shkurtër kohore – një kërkesë e përcaktuar me ligj.

Marina Shepelsky, një avokate imigracioni që punon me klientët ukrainas, i tha CNN se disa njerëz patën sukses në marrjen e një vize turistike, por për të tjerë kërkesa ka qenë një sfidë.

Është shumë e vështirë. Ka qenë gjithmonë e vështirë për të marrë një vizë turistike, por tani ka kaq shumë njerëz që aplikojnë, saqë ata me të vërtetë duhet të zgjedhin dhe të zgjedhin“, tha Shepelsky.

Bota #Administrata Biden emigrantë sulmet ruse