Bota21 Mars 2022, 17:38

Sulmet ruse në Ukrainë, ministrat e BE-së diskutojnë sanksione të reja ndaj Rusisë

Shkruar nga Pamfleti
Sulmet ruse në Ukrainë, ministrat e BE-së diskutojnë

Sulmet ruse në Ukrainë, ministrat e BE-së diskutojnë sanksione të reja ndaj Rusisë

Ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes nga Bashkimi Evropian janë takuar ditën e sotme në Bruksel për të diskutuar mbi vendosjen e sanksioneve të tjera ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Ministrat nga 27 vendet anëtare të bllokut evropian do të diskutojnë edhe për ndihmën urgjente dhe bashkëpunimin ushtarak. Vendimi për sanksione të mëtejme “do të dominojë në takim dhe nuk do të jetë i lehtë”, ka thënë një diplomat i bllokut evropian para takimit.

Kjo mbledhje vjen para një morie takimesh në mes të aleatëve të Perëndimit për të diskutuar rreth Ukrainës: një samit i BE-së, një samit i NATO-s, dhe takime mes shtatë vendeve më të industrializuara (G7) më vonë gjatë javës.

Polonia dhe vendet e Baltikut janë duke shtyrë përpara sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, përfshirë importin në naftën dhe gazin rus. Megjithatë, Gjermania, e cila varet shumë nga gazi rus, dhe disa vende tjera të BE-së, janë duke rezistuar.

Vlen të theksohet se, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov paralajmëroi se Evropa do të goditet rëndë nëse vendos embargo në naftën ruse. Ndërkaq, ministri i Jashtëm ukrainas, Oleksiy Reznikov, pritet të njoftojë ministrat e BE-së për situatën aktuale të luftës.

Kujtojmë se, Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Bota BE Rusia sanksione sulmet ruse ne ukraine