Gazi rus ka “detyruar” kancelarin gjerman Olaf Scholz të dalë kundër Angela Merkel. Sipas Scholz, paraardhësja e tij Angela Merkel mund të jetë pjesërisht fajtore për rrezikun që i kanos mbyllja e rubinetit të gazit nga Rusia, Gjermanisë në dimër.
Përmes një artikulli të titulluar “Sulmi i Scholz-it ndaj Merkelit”, prestigjiozja ‘Bild’ shkruan se mungesa e gazit rus rrezikon të ngrijë Gjermaninë përgjatë gjithë dimrit dhe për Scholz ndër fajtorët është Merkel.
I pyetur për politikën energjetike ndaj Rusisë në vitet e fundit, Scholz tha për DPA se: Ishte një gabim në politikën ekonomike gjermane që ne e përqendronim furnizimin tonë me energji në Rusi, pa ndërtuar infrastrukturën e nevojshme në mënyrë që të ishim të përgatitur nëse me e keqja do të ndodhte”.
Megjithatë, Scholz mbështeti vendimin e Merkel për të kundërshtuar procesin e Ukrainës në NATO, në vitin 2008. Apo kursi komod që kancelarja ruajti ndaj Rusisë.
“Kriteret për anëtarësim në NATO duhet të plotësohen nga çdo vend që dëshiron të anëtarësohet në aleancë. Pranimi i Ukrainës në NATO nuk ishte në rend dite”- ka thënë ai, ndërsa theksoi se: “Këtë e dinin të gjithë, përfshirë edhe presidentin rus (Vladimir Putin). Është edhe më absurde që Putini e justifikoi sulmin e tij ndaj Ukrainës duke thënë, ndër të tjera, se në një moment Ukraina mund të përfundonte papritmas atje (pjesë e BE-së).” Për Scholz është totalisht e qartë se kjo nuk do të ishte aspak një çështje në të ardhmen e parashikueshme të Unionit.
Sa i përket qëndrimeve mjaftueshëm të buta kundrejt Rusisë, edhe vetë Scholz është kritikuar shumë nga partnerët evropianë. Kritikat kanë vijuar deri vonë, për raportet dhe telefonatat e rregullta mes udhëheqësit gjerman dhe tiranit të Kremlinit, Vladimir Putin, pavarësisht agresionit të përgjakshëm rus në Ukrainë.
“Përpjekja për pajtim nuk mund të jetë kurrë e gabuar, dhe as përpjekja për t’u marrë vesh në mënyrë paqësore”- tha Scholz, duke shtuar se: “Unë e shoh veten pranë paraardhësit tim”.
Një javë më parë, Merkel mbrojti gjithashtu politikën e saj shumë të kritikuar ndaj Rusisë në një intervistë të parë pas transferimit të detyrës te Scholz, ndërsa hodhi poshtë mundësinë e dhënies së një ndjese publike. Për shtypin gjerman, Merkel përsëriti qëndrimin e saj edhe sa i përket politikës energjetike. “Unë nuk besoja në ndryshimin përmes tregtisë, por në lidhjen përmes tregtisë me fuqinë e dytë bërthamore në botë,” tha Merkel./ Përshtati në shqip: Pamfleti