
Zyra e prokurorit në Beograd ka reaguar pas sulmit ndaj aktivistëve të LGBTI. Dje u mbajt parada e komunitetit gay në Serbi dhe një grup nga Shqipëria u sulmua në sy të policisë.
Pati shumë akuza ndaj mosreagimit të policisë dhe sot ka reaguar prokuroria, e cila ka thënë se po punon për të përcaktuar të gjitha rrethanat e sulmeve.
Në deklaratë u tha se autoritetet e drejtësisë do të punojnë me Ministrinë e Brendshme për të identifikuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit për dhunën, dhe disa prej të tyre u cilësuan si “huliganë”.
Ministria e Brendshme serbe më 13 shtator njoftoi zyrtarisht se do të ndalonte mbajtjen e Javës së EuroPride, që kulmon me marshin në rrugët e Beogradit. Të njëjtën masë tha se e ka marrë edhe ndaj protestave të paralajmëruara.
Arsyeja e ndalesës u tha se ishte për shkak të “rrezikut nga dhuna, shkatërrimit të pronës dhe formave të tjera të prishjes së rendit publik në shkallë të gjerë”.
Por, aktivistët e komunitetit LGBT, megjithatë marshuan në rrugët e Beogradit. Në këtë marsh morën pjesë 1.000 aktivistë dhe rreth 6.000 policë u dislokuan për të mbajtur rendin. Gjatë marshimit, policia u përlesh me grupet e djathta, që kishin dalë për të kundërshtuar.
Zyrtarët serbë thanë se 87 persona janë ndaluar, ndërkaq ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, njoftoi se ndaj 11 prej të ndaluarve janë regjistruar procedime penale.