Anti-Mafia10 Shkurt 2023, 11:08

‘Sulmi në Surrel’: Eskorta e Edi Ramës sa e Erdoganit; blindohet edhe SPAK

Shkruar nga Pamfleti
‘Sulmi në Surrel’: Eskorta e Edi Ramës sa e Erdoganit;

‘Sulmi në Surrel’: Eskorta e Edi Ramës sa e Erdoganit; blindohet edhe SPAK

Një skuadër e posaçme e repartit RENEA ka marrë në mbrojtje prokurorët e SPAK që po ndjekin dosjet e Gërdecit dhe të 21 janarit, duke u angazhuar në mënyrë të posaçme edhe për familjet e tyre.

Paralajmërimi i Sali Berishës se do të sulmohet në shtëpinë e tij Edi Rama, ka alarmuar gardën dhe struktura të tjera të sigurisë në vend.

Siç mësohet, drejtues të lartë të policisë kanë këshilluar kryeministrin që të shvendoset në një nga rezidencat qeveritare për disa ditë, por Rama ka thënë ‘jo’ që në fillim. Madje e ka marrë për provokim, duke u kërkuar strukturave të sigurisë se mos ky është një plan për të hapur lajmin se ai është fshehur.

Kjo ka sjellë një furtunë të madhe në polici, duke bërë edhe një zhvendosje të planit operacional dhe njerëzve që do të merren me menaxhimin e protestës.

Siç mësohet, plani operacional dhe grupi që do ta drejtojë rendin të shtunën do të qëndrojë në kryeministri, e jo në drejtorinë e policisë.

Mësohet se në kupolën e hartuesve të planit do të jenë oficerë shumë të përgatitur nga jashtë. Ende nuk dihet nacionaliteti i tyre, por zërat flasin për një nga krerët më të njohur të forcave speciale gjermane që sot është në pension, i cili është afruar për të dhënë këshilla.

Ndërkaq, eskorta e Edi Ramës thuajse ka arritur kuotën e Erdoganit me efektivë, të cilët janë të pajisur me mjete nga më të fundit për të ndalur një sulm ndaj kryeministrit.

Eskorta e Ramës do të lëvizë në një rrugë të pastruar, e njerëzit e opozitës mund të afrohen pranë banesës në Surrel, vetëm kur atje të mos ketë njeri. Plani është bërë qëmoti, ku për 50 kilometera, rruga ku kalon kryeministri do të jetë e pastruar dhe nën vëzhgimin e gardistëve që do të jenë çdo 100 metra.

Ndërkaq, mësohet se përveç masave të marra nga strukturat e sigurisë, janë përdorur edhe elementët e fortë, të cilët janë vënë menjëherë në veprim. Madje është hapur fjalë, që njerëzve që janë ngarkuar të gjuajnë me domate Edi Ramën, u kanë vajtur persona nga më të frikshmit në Shkodër e Tiranë, dhe u kanë thënë se sa domate hidhni Edi Ramën aq “fruta më të forta do tu gjuajmë surratit”. E në këtë rast “frutat” janë marrë si metaforë.

Ndërkaq, javën e shkuar kanë mbërritur dy dronë Bajraktar, të cilët do të vihen në përdorim ditën e shtunë, të cilët nuk i bllokon dot asnjë pajisje elektronike.

Me dronët Bajraktar do të filmohet e gjithë protesta dhe lëvizjet përreth, ndërkohë që pjesë të tyre do të shpërndahen për mediat, duke u transmetuar në rrjetet sociale të aktivistëve të mazhorancës.

Nga ana tjetër, një skuadër e posaçme e repartit RENEA ka marrë në mbrojtje prokurorët e SPAK që po ndjekin dosjet e Gërdecit dhe të 21 janarit, duke u angazhuar në mënyrë të posaçme edhe për familjet e tyre. Prej disa kohësh, nga ana e prokurorëve antimafia në Itali, është këshilluar se prokurorët e kërcënuar të veprojnë si kolegët e tyre matanë detit, të cilët jetojnë bashkë me familjet në kazerma të karabinierisë, ku edhe punojnë.

E siç mësohet edhe në Shqipëri është bërë gati një mjedis i posaçëm ku do të transferohen prokurorët e rrezikuar me gjithë familjet e tyre. Ata do të lëvizin vetëm për të marrë në pyetje, seanca të cilat mund të kryhen në një nga repartet e forcave speciale në Tiranë. / Pamfleti 

Anti-Mafia #‘Sulmi në Surrel’ #blindohet SPAK #Eskorta e Edi Ramës sa e Erdoganit