E lehtë dhe plot shije, kjo pjatë tipike e kuzhinës tradicionale është ideale për gjallërimin e organizmit dhe shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës.
AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e shijshme të përgatitjes së supës me mish pule, kos e miell misri në shtëpi.
Për 4-5 persona duhen: 4 thela mish pule, 3 lugë gjelle miell misri, 2 lugë gjelle gjalpë ose vaj ulliri, 3-4 thelpinj hudhra, 4-5 lugë gjelle kos, kripë, piper
Përgatitja:
Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të pastroni me ujë të rrjedhshëm thelat e pulës dhe më pas vendosini në një tenxhere ku keni hedhur pak vaj ulliri dhe pak gjalpë të freskët.
Kaurdisni për 1-2 minuta nga të dyja anët, shtoni kripë dhe mbulojini mirë me ujë. Lërini të ziejnë derisa mishi i pulës të jetë zbutur.
Ndërkohë në një tigan shtojmë vajin e ullirit dhe hedhim dhe miellin e misrit. Me një lugë druri e kaurdisim derisa të marrë ngjyrë të artë.
Pasi mishi i pulës të ketë zierë, i largojmë thelat nga tenxherja dhe i lëmë mënjanë.
Tek mielli i misrit shtojmë pak nga lëngu i mishit të pulës dhe e përziejmë vazhdimisht, që të mos krijohen kokrriza.
AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni masën e lëngut të pulës dhe ta përzieni mirë derisa masa të njëtrajtësohet me lëngun.
Mishin e pulës pasi të jetë ftohur pak e presim në copa të vogla dhe e shtojmë tek tigani. Shtojmë dhe piperin e zi dhe 3-4 thelpinj hudhra të shtypura sipas dëshirës, dhe e lëmë që të vlojë në zjarr mesatar.
Kjo supë duhet të jetë pak më e plotë, dhe nëse shohim që kemi shtuar shumë nga lëngu i mishit të pulës, mund të shtoni fare lehtë një lugë gjelle me pure patatesh. Pasi të jetë zierë, e heqim tenxheren nga zjarri dhe e ndajmë nëpër pjata të thella, dhe para se ta shërbejmë shtojmë nga një lugë kos. /AgroWeb.org