
Superkupa e Europës/ Reali “ngre në qiell” trofeun e 5 në histori, madrilenët barazojnë Barçën dhe Milanin, Benzema parakalon legjendën e ‘Los Blancos’ (Video)
Reali i Madridit fiton për herë të 5 në histori Superkupën e Europës, duke barazuar kështu Barcelonën dhe Milanin. Ndeshja e luajtur në “Olimpiski” të Finlandës është mbyllur me fitoren e pastër 2-0 të madrilenëve ndaj Frankfurtit.
Alaba realizoi golin e parë për ekipin e Ançelotit në minutën e 37. Pas zhvillimit të një goditje nga këndi, topi shkoi te Benzema, i cili e çoi te Kasemiro. Ky i fundit e kaloi tek Alaba, i cili i vetëm në zonë çon sferën në rrjetë.
Në minutën e 65 ishte Karim Benzema që vulosi rezultatin përfundimtar në 2-0. Pas asisit të Vinisius Zhunior, sulmuesi nuk fali në hyrje të zonës.
Sulmuesi francez shënoi golin e tij të 324 me Realin e Madridit, duke kaluar legjendën Raul, për t’u bërë golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e “Galaktikëve të Europës”.