Aktualitet20 Nëntor 2022, 12:16

Surpriza më e bukur e 'Panairit të Librit', Kadare ulet në bashkëbisedim me lexuesin: Diçka po shkruaj!

Shkruar nga Pamfleti
Surpriza më e bukur e 'Panairit të Librit', Kadare

Në foto: Shkrimtari Ismail Kadare

E diela ka qenë një ditë speciale për të gjithë dashamirësit e librit, ndërsa shkrimtari i mirënjohur, Ismail Kadare i shoqëruar nga bashkëshortja, Helena, kanë qenë të pranishëm në Panarin e Librit.

Gjatë një bashkëbisedimi me lexuesin në një nga stendat e panairit, Kadare i konsideroi ata pjesën më të bukur e letërsisë. “… ne shkruajmë për ju, e kemi mendjen tek ju…”- tha ndër të tjera shkrimtari, duke emocionuar të pranishmit.

“Mirëdita. Vetëm një fjalë… hajde gjeje vetëm një fjalë, është shumë e vështirë, është e pamundur zoti botues. Ju përqafoj të gjithëve, lexuesit janë pjesa më e bukur e letërsisë, ne shkruajmë për ju, ne kemi mendjen tek ju, ne duam të dimë çfarë mendoni ju a na pëlqeni a s’na pëlqeni, apo thoni ‘mjaft se këtë që thotë ky e kemi dëgjuar njëherë’.  Ju uroj gjithë të mirat”, u shpreh Kadare.

Krahas përshëndetjes së ngrohtë të shkrimtarit, nuk kanë munguar as autografet për lexuesit e veprave të tij. Vlen të theksohet se, që prej 2018-ës kur Kadare erdhi me veprën “Kur sunduesit grinden”, nuk ka asnjë botim të ri prej tij. Megjithëse u mendua se ky mund të ishte libri i fundit i shkrimtarit, Kadare surprizoi lexuesin me lajmin e mirë se “diçka po shkruan”.

Kryesore Kadare