Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka dënuar sulmin me armë ndaj njësisë policore të Kosovës, pranë liqenit të Ujmanit.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Sveçla deklaroi se kjo është dorë e grupeve ilegale serbe, të cilat po përpiqen të ndalojnë policinë e Kosovës që të kryejë detyrën.
“Rreth 10 herë sot është shtënë drejt zyrtarëve të policisë kufitare derisa ata po kryenin detyrën e tyre zyrtare, kontrollën rutinore në Liqenin e Ujmanit. Grupet ilegale serbe të cilat tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit tonë. Gjuajtja me armë drejt zyrtarit policor është sulm ndaj institucionit kryesor të shtetit. Për më pak se 1 javë, 2 herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policor për t’i penguar ose për t’i vrarë ata” , shkruan Sveçla.
Njësia policore e Kosovës lajmëroi se është sulmuar me armë zjarri në liqenin e Ujmanit mesditën e sotme. Në kohën që u dëgjuan të shtënat, njësia policore ishte duke patrulluar me varkë pranë liqenit të Ujmanit. Mësohet se, kanë qenë rreth 10 të shtëna me armë zjarri si dhe fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.