Politike11 Tetor 2022, 14:22

Tabaku: Konflikti në Ukrainë na sjell kujtimet e hidhura nga lufta në Ballkan!

Shkruar nga Pamfleti
Tabaku: Konflikti në Ukrainë na sjell kujtimet e hidhura nga lufta

Sot në Këshillin e Europës është mbajtur dëgjesa në lidhje me raportin e Eurodeputetit Papandreu që ka shkruar për Ballkanin Perëndimor. Deputetja e PD, Jorida Tabaku, gjatë fjalës së saj vuri në dukje paralelizmin mes luftës në Ukrainë dhe kujtimeve të hidhura që kjo luftë ngjall në Ballkanin Perëndimor, duke rikujtuar tragjedinë e luftërave në ish Jugosllavi dhe masakrat që ndodhën në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë.

“Së pari, lejomëni të përshëndes rezolutën që pritet sot të miratohet në OKB për të dënuar sulmet e fundit të Rusisë ndaj Kievit.’- u shpreh në fillim të fjalës deputetja Tabaku.

Ajo theksoi se “për të ecur përpara vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të pranojnë përgjegjësitë e tyre për çka ka ndodhur! Kjo do të thotë që duhet të ecim përpara drejt integrimit europian dhe përqafimit të vlerave Europiane.”

Më tej Tabaku vuri në dukje se disa nga arritjet që kanë ndodhur në rajonin tonë do ishin të pamundura nëse nuk do të kishte qenë vullneti dhe mbështetja e BE-së. Por, ajo nënvizoi se qasja e vendeve të rajonit duhet të jetë tërësisht e njehsuar me politikat e sigurisë së Bashkimit Europian.

Duke iu referuar betejës mes Rusisë dhe Ukrainës, deputetja e PD nënvizoi se kjo është një luftë mes demokracisë dhe autokracisë.

Ballkani Perëndimor, nënvizoi ajo, “nuk mund të jetë streha e vendeve që zvenisin demokracinë; korrupsioni, shkelja e të drejtave të njeriut, liria e medias dhe paaftësia për zgjedhje të lira janë shenja dobësie përballë rrezikut autokratik. Prandaj le ta përdorim procesin e integrimit si një mënyrë për të ndryshuar vendet tona dhe rajonin. Si një rrugë drejt demokracisë.”

 

Politike #lufta në Ukrainë tabaku