
Prej disa ditësh Partia Demokratike, ka akuzuar Edi Ramën për lidhjen e tij me ish-zyrtarin e FBI-së Charles Mcgonigal.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me këtë çështje ‘McGonigal’, ku ish-zyrtari i FBI-së Charles Mcgonigal akuzohet se ka marrë para ruse.
Në një reagim në ‘Facebook’, Tabaku thekson se se mbi 4 vite shqiptarët janë helmuar me mashtrime se PD është financuar nga rublat ruse, ndërsa ajo pyet se; Shqiptarët kanë nevojë të dinë kush, si dhe çfarë ka ndodhur mes Ramës dhe agjentit të FBI paguar nga rusët?!
“Për mbi katër vjet, shqiptarët ?? janë helmuar nga mashtrimi se Partia Demokratike është financuar nga rublat ruse. Një njollë e lëshuar nga gojët dashakeqe dhe e gatuar në zyrat e kryeministrisë që nuk kanë lënë shpifje pa drejtuar karshi nesh.
Shqiptarët kanë nevojë të dinë kush, si dhe çfarë ka ndodhur mes Ramës dhe agjentit të FBI paguar nga rusët?!
Duan të dinë se si oligarku Putinit përfitoi status investitorit strategjik menjëherë pasi u fut në listën e zezë të SHBA?
Shqiptarët duan transparencë për çfarë ka ndodhur me koncesionet që u jepen oligarkëve rus ?? ndërsa paguhen para korrupsioni për të sulmuar PD”, shkruan Tabaku.
Dy akuzat
McGonigal përballet me dy akuza, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.
Në rastin e dytë, në akuzën në D.C., McGonigal akuzohet se ka përfituar së paku 225 mijë dollarë si dhe udhëtime me shpenzime të mbuluara nga dy shqiptarë.
I pari referohet në aktakuzë si Personi A, një shqiptar i natyralizuar amerikan me banim në Nju Xhersi, i cili vihet në dukje se ka qenë punonjës i shërbimeve sekrete shqiptare dekada më parë.
Personi në fjalë i ka dhënë paratë McGonigalit, mes të tjerash që ky i fundit të hapë një hetim në SHBA në lidhje me një lobues që ka lobuar “për një parti të ndryshme me atë të kryeministrit shqiptar”.
Akuzat që rëndojnë ndaj tij lidhen me faktin se ai ka dështuar të raportojë në sistemin e mbrojtjes së integritetit të zyrtarëve të FBI-së përfitimet në para të thata dhe në mbulime shpenzimesh udhëtimi si dhe takimet me zyrtarët e huaj, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë.