
Trajneri i Uruguait, Oscar Tabarez, foli para ndeshjes me Portugalinë që do të luhet nesër në mbrëmje. Ai nuk shqetësohet aspak nga prania e Cristiano Ronaldos në ndeshjes e nesërme. “Nuk na prishet gjumi nga Ronaldo. Dhe nuk do ta mbulojë Godin, do të jetë një punë kolektive. Në Botërorin ’54 Uruguai ishte shumë i fortë, por humbi në gjysmëfinale ndaj Hungarisë.
Lexova një kronikë të një gazetari italian ku shkruhej se kapiteni i Hungarisë kishte thënë: ‘E humba plotësisht duelin me Skiafinon, por në fund fituam ne’. Kjo është logjika e futbollit. Nuk fiton gjithnjë më i forti. Ky Uruguai po kthehet ai i vjetri, luftarak dhe me lojë të mirë”.
Tabarez tregon dhe anën e tij fantastike: “Bilardo me tha një herë: ‘Futbolli është prej kristali, mund të përgatitesh në mënyrë perfekte, por nëse sulmuesi bën sherr me gruan ose nuk ka fjetur për probleme të ndryshme, atëherë ndryshon gjithçka, nuk ke asgjë në dorë’. Megjithatë, nuk dua ta imagjinoj ndeshjen dhe mendoj se në fushë janë lojtarët ata që vendosin. Kemi vite që punojmë për këtë ëndërr, jemi pranë dhe e dimë çfarë duhet të bëjmë. A do jetë ndeshje e mërzitshme? Nuk e kuptoj këtë pyetje. Nëse ndeshja bëhet e mërzitshme dhe fitojmë, për mua është gjithçka perfekte”, – u përgjigj ai.