Dokumentet e CIA, ja pse Moska hodhi sytë nga Shqipëria pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, Hoxha nisi spastrim - Aktualitet
Aktualitet 5 Maj 2018, 17:55

Dokumentet e CIA, ja pse Moska hodhi sytë nga Shqipëria pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, Hoxha nisi spastrim

Shkruar nga Pamfleti
Dokumentet e CIA, ja pse Moska hodhi sytë nga Shqipëria pas prishjes

Dokumentet e CIA, ja pse Moska hodhi sytë nga Shqipëria pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, Hoxha nisi spastrimin e titistëve

Dalin të tjera dokumente nga CIA. Sa i takon situatës në Shqipërinë komuniste. Gazeta ka përkthyer një sërë dokumentesh të tjera të deklasifikuar ku hedhin dritë mbi regjimin e Hoxhës. Në materialin e mëposhtëm tregohen se si lidi bashkëpunimi me BRSS.

Marrëdhëniet Shqipëri-BRSS

Polemikat mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik nuk nisën në takimin e Partive Komuniste në Bukuresht siç pretendon udhëheqja shqiptare, por nisën të zhvilloheshin pas pa vdekjes së Stalinit, kur liderët sovjetikë filluan të afroheshin me Jugosllavinë. Bazat e këtij debati kishin lindur që në vitet e para të pasluftës kur BRSS kishte mbështetur hegjemoninë jugosllave mbi Shqipërinë dhe përfshirjen e saj në Jugosllavinë e madhe. Udhëheqësit komunistë kanë mirëpritur ndihmën jugosllave në themelimin e Partisë Komuniste në 1941 dhe për marrjen e pushtetit pas luftës II Botërore.

Por jugosllavët vazhduan të rrisin influencën e tyre politike dhe ekonomike dhe udhëheqësit shqiptarë nisën të bëheshin nervozë. Por partia shqiptare ishte e mbushur me fraksione dhe duke u përpjekur të ruante kontrollin mbi vendin e falimentuar, nuk i rezistoi dot asokohe ndërhyrjeve jugosllave. Gjatë periudhës 1940-1947 lidhjet Shqipëri-BRSS ishin minimale. Shqipëria doli nga Lufta e Dytë Botërore pa trupa sovjetike dhe kontaktet e para ushtarake mes të dyjave u vënë në verën e vitit 1944 kur një grup i vogël oficerësh sovjetikë erdhën në Shqipëri.

Marrëdhëniet diplomatike u vendosën në verën e 1945 por vetëm në pranverën e vitit 1948 dhe pas përkeqësimit të debatit të Stalinit me Titon, BRSS nisi hapat për rritjen e aseteve të saj në Shqipëri. Prishja sovjetike me Titon në 1948 i dha mundësinë Shqipërisë të pranonte një protektor të ri, më larg vendit dhe më të aftë për shtuar prestigjin e saj në botën komuniste.

Udhëheqësit shqiptarë e përqafuan këtë mundësi dhe Hoxha me ndihmën e sovjetikëve forcoi kapjen e tij ndaj partisë, duke spastruar elemente si Koçi Xoxe e mbështetësit e tij si Titistë. Gjatë pjesës së mbetur të jetës së Stalinit Hoxha forcoi kontrollin e tij në parti dhe marrëdhëniet me Moskën. Gjatë gjithë kësaj periudhë Shqipëria ishte qartësisht një nga satelitët më të bindura të BRSS.

Udhëheqja shqiptare

Udhëheqja shqiptare nuk kishte zgjedhje tjetër por të përpiqej të përshtatej dhe pas vdekjes së Stalinit në 1953, duke e bërë këtë ngadalë dhe me hezitim, nga frika se ndryshimet e kursit mund të prishnin kontrollin e tyre të ashpër ndaj partisë që kishin arritur të vendosnin. Ata ishin gjithashtu të ndërgjegjshëm të gjesteve të para sovjetike për përmirësimin e lidhjeve me Jugosllavinë, por vetëm pas vizitës së Hrushovit në Beograd në maj 1955, Shqipëria nisi t’i rezistojë politikës sovjetike.

Gjatë viteve 1955-1956 Shqipëria bëri disa tentativa për të zbutur propagandën kundër Jugosllavisë por gjithsesi refuzoi të rehabilitonte figurën e Koçi Xoxe ose të bënte veprime të dukshme destalinizimi, siç e inkurajonte Moska e Hrushovit. Revolucioni në Hungari e ndryshoi këtë kurs zhvillimet dhe Shqipëria nuk kishte më presion për ndryshime të brendshme.

Kërcënimet për postet e tyre ishin të qarta në 1956 dhe besimi te udhëheqësit sovjetikë ishte thyer. Kjo është dhe pika e ndërgjegjësimit të tyre për interesin e Kinës në Evropën Lindore dhe u përpoqën ta inkurajojnë e ta shfrytëzojmë. Ashtu si në lidhjet e tyre me BRSS, shqiptarët fillimisht nuk i dhanë shumë rëndësi regjimit të Pekinit të krijuar në tetor 1949. Pas vdekjes së Stalinit është shënuar një rritje të vëmendjes së Kinës për Shqipërinë dhe kjo vëmendje nisi të kthehej nga Shqipëria drejt Kinës prej vitit 1956.

Hoxha dhe Shehu duket se ishin impresionuar nga kontaktet e para me udhëheqësit kineze në Pekin në tetor 1956 dhe ndoshta u kthyen nga vizita me përshtypjen se me ta i kishin më të sigurta postet e tyre sesa me Jugosllavinë dhe Moskën. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën u zhvilluan dhe u forcuan pas nisjes së fushatës së Kinës kundër revizionizmit jugosllav në maj 1958.

Dallimet mes jugosllavëve e sovjetikëve në fund të vitit 1957 bënë që të lindte një periudhë e shkurtër mirësjelljeje mes BRSS dhe Shqipërisë. Në 1958 BRSS forcoi prezencën e tij në Shqipëri dhe rinisi sulmet verbale ndaj Jugosllavisë. Ndërsa udhëheqësit shqiptarë vazhduan me shpalljen e besnikërisë ndaj BRSS duke siguruar Moskën se nuk ka pasur asnjëherë dyshime për besnikërinë e tyre.

Lëvizjet e Hrushovit

Por Hrushovi vazhdonte një sjellje të dyfishtë në lidhje me Jugosllavinë dhe udhëheqësit shqiptarë e dalluan se me deklaratat e tij Hrushovi nënkuptonte pranimin se kishte gabuar me tolerimet ndaj Titos për të risjellë Jugosllavinë në bllok, por gjithashtu kritikonte udhëheqjen shqiptare për refuzimin në modifikimin e politikave të tyre të tipit stalinist.

Thirrja e tij për kufizimin e polemikave me Jugosllavinë në vitin 1958 nënkuptonte se dëshironte të vazhdonte kontaktet me ta me qëllim rikthimin e Titos në bllokun komunist lindor. Në gjashtë muajt e parë të 1959, marrëdhëniet Shqipëri-BRSS arritën kulmin e tyre dhe Tirana mori domethënie të madhe në çështjet e bllokut lindor. Në maj Shqipëria u nderua duke i dhënë të drejtën për të mbajtur në Tiranë takimin e përvjetorit të 10-të të organizatës së bashkëpunimit ekonomik të Evropës Lindore (CEMA) që i hapi rrugë vizitës së Hrushovit në Shqipëri dhjetë ditë më vonë.

Vizita e Hrushovit (25 maj-4 qershor) ishte më e gjata e bërë ndonjëherë nga udhëheqësit e vendeve të bllokut, me përjashtim të asaj kineze në tetor 1954, dhe kishte si qëllim të kompensonte çdo ndjenjë neglizhimi të BRSS ndaj Shqipërisë, dhe ndoshta të aftësonte Hrushovin të kuptonte më mirë Shqipërinë, problemet dhe udhëheqjen e saj. Por vizita nuk ishte aq e suksesshme sa dukej atëherë, teksa Hrushovi u zhgënjye me prapambetjen e vendit dhe me qasjen dogmatike ndaj problemeve të Hoxhës e Shehut. Edhe udhëheqësit shqiptarë gjithashtu nuk i pritën mirë këshillat e Hrushovit për të hequr dorë nga frika prej Jugosllavisë dhe për t’u fokusuar të problemet e brendshme.

Bashkëpunimi me Kinën

Në verën e vitit 1959 nisën të dalloheshin ndryshimet mes Kinës e BRSS për strategjinë ndërkombëtare komuniste. Ndoshta në festimet e 10-vjetorit të regjimit kinez në Pekin në tetor 1959 shqiptarët u ndërgjegjësuan për rolin e tyre në debatin në rritje Kinë-BRSS. Kjo pasi më herët ideja sovjetike e bashkë-ekzistencës paqësore kundërshtohej nga Tirana vetëm në lidhje me Jugosllavinë, ndërsa marrëdhëniet ndërkombëtare komuniste përfshi dhe vendet perëndimore nuk shiheshin si problem nga shqiptarët. Por pas festimeve në Pekin pozita ideologjike shqiptare po anonte gjithnjë e më shumë nga Kina.

Nga mesi i tetorit shqiptarët po e vendosnin veten haptazi përkrah Kinës edhe për çështjet më të debatuara. Më 15 tetor Radio Tirana për herë të parë pas një viti iu referua komunave kineze duke ngritur lart transformimin e zonave të varfra në një kohë të shkurtër. Në një letër të Hoxhës për rojet kufitare dhe organizatave të rinisë më 23 tetor, dukej qartë anësia pro-kineze, në kundërshtim me përpjekjet e Moskës për përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Viti 1960 u hap keq për udhëheqjen shqiptare dhe marrëdhëniet me BRSS do të përkeqësoheshin me shpejtësi gjatë vitit. Më 6 janar Tempo Vukmanoviç, kreu i sindikatave të Jugosllavisë dhe anëtar i Byrosë Politike u nis për një vizitë tre-javore në Moskë, pas konsultimeve mes Hrushovit dhe ambasadorit jugosllav në Moskë, si dhe mes Titos dhe ambasadorit sovjetik në Beograd. Megjithëse bisedimet e Vukmanoviç me Hrushovin nuk ishin aq produktive sa pritej, ato gjithsesi dëshmonin për vullnetin e Hrushovit për riafrimin.

Shqiptarët u larmuan nga qëllimet e këtyre bisedimeve dhe i shprehën rezervat e tyre Moskës. Por marrëdhëniet Shqipëri-BRSS ishin përkeqësuar tashmë, dhe në konferencën e politikave bujqësore të Paktit të Varshavës në shkurt 1960 Hoxha sulmoi praktikat bujqësore të Polonisë, ndërsa Hrushovi u ngrit e tha se shqiptarët duhet të shikojnë më mirë punën e tyre, pasi nuk i kanë gjërat fare në rregull. Ditën tjetër në takim shqiptarët e gjetën veten përsëri nën sulmet e Hrushovit dhe gjithashtu për herë të parë dolën në pah diferencat për politikën e jashtme para asemblesë së udhëheqësve të bllokut.

Hoxha e Shehu u kthyen nga samiti në Shqipëri më 9 shkurt, të nxehur e të turpëruar, dhe me sa duket të vendosur për të mbështetur Kinën me sa fuqi kishin. Më 26 maj 1960 një delegacioni kryesuar nga anëtari i byrosë Gogo Nushi u nis për në Pekin për të marrë pjesë në një takim të gjerë sindikatash, dhe më 3 qershor një delegacion i dytë ku përfshiheshin anëtarët e Byrosë politike Haxhi Lleshi dhe Liri Belishova. Pra dy delegacione të nivelit të lartë ishin në Kinë gjatë javëve të para të qershorit, në një kohë kur Pekini po lobonte për mbështetje mes vendeve komuniste në debatin e tij me Moskën.

Ndërkohë Hoxha dhe Sheu e dinin se nëse merrnin pjesë në kongresin e partisë rumune ne qershor, ku do të ishin Hrushovi dhe vendet e tjera satelite, ata do të viheshin në presion për t’iu përshtatur linjës sovjetike gjatë akuzave të Moskës ndaj Pekinit. Prandaj Hoxha e Shehu evituan përkushtimin ndaj njërës palë apo tjetrës duke dërguar në kongres zyrtarin e rangut të dytë ose të tretë, Hysni Kapo, në krye te\ë delegacionit.

Rrethanat që u paraqitën në kongres e detyruan Kapon të mbante anën e Kinës, dhe dy ditë më vonë komiteti qendror i partisë së Shqipërisë lëshoi një komunikatë duke e bërë të qartë mbështetjen e tyre për Kinën në debatin me BRSS. Kështu që udhëheqja shqiptare tashmë e kishte hequr maskën dhe ishte radha e sovjetikëve të kundër-përgjigjeshin. BRSS e bëri këtë me anë të dy kanaleve.

Së pari Maurice Thorez, kreu i komunsitëve francezë dhe i njohur i vjetër i udhëheqjes shqiptare, u dërgua në qershor në Shqipëri duke tentuar pa sukses të bindte shqiptarët të hiqnin dorë nga marrëzia e tyre. Thuajse në të njëjtën kohë BRSS përshkallëzoi përpjekjet e tij për të përmbysur regjimin Hoxha-Shehu.

Dossier