Tabaku sulmon qeverinë Rama: Po punon për pakicën, ekonomia në Shqipëri ka pabarazi të theksuar - Politike
Politike16 Dhjetor 2023, 10:29

Tabaku sulmon qeverinë Rama: Po punon për pakicën, ekonomia në Shqipëri ka pabarazi të theksuar

Shkruar nga Pamfleti

Tabaku sulmon qeverinë Rama: Po punon për pakicën, ekonomia

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, tha se ekonomia shqiptare ka një pabarazi të theksuar dhe se mirëqenia nuk shpërndahet njësoj.

Sipas Tabakut, këtë e kanë vërtetuar dhe shifrat e EUROSTAT, teksa thekson se sado që të rritet buxheti i shtetit, vetëm një pakicë e merr.

“Ekonomia shqiptare sot ka një pabarazi të theksuar dhe që mirëqenia nuk shpërndahet njësoj kemi vite dhe muaj që e themi. Shifra që i vërtetoi dhe EUROSTAT. Familjet shqiptare kanë një fuqi blerëse reale 41% e mesatares së BE si përqindje e PBB. Janë të fundit në Ballkanin Perëndimor bashkë me Bosnje Hercegovinën.

Ndërkohë që të ardhurat për frymë janë 35% e atyre të Bashkimit Europian. Sërish të fundit në rajon. Çfarë do të thotë kjo? Pra mirëqenia në ekonomi nuk shpërndahet njësoj. Sado që rriten buxheti i shtetit vetëm një pakicë e merr.

Kjo do të thotë që rritja e taksave në dhjetë vite ka ndikuar në këtë pabarazi sepse 95% e popullsisë kanë paguar shtesën në taksa ndërkohë 12.5% kanë marrë favore fiskale dhe kontrata publike. Sot, ekonomia shqiptare nuk po prodhon por edhe çdo gjë të prodhojë edhe një lek të prodhojë kjo nuk shkon tek shtresat e varfra, kjo nuk shkon tek shtresat e mesme; kjo nuk shkon tek e gjithë shoqëria dhe nuk shpërndahet njësoj tek e gjithë shoqëria. Pasi sot qeveria po punon për pakicën duke hequr dorë nga shumica.

E ka mbitaksuar shumicën. I ka marrë më shumë taksa, i ka ofruar më pak shërbime dhe po ia jep këto të gjitha pakicës”, tha Tabaku në rrjetet sociale.

jorida tabaku pd ekonomia