Gurorja e “Babasit” prish parkun Kombëtar të Krujës; Kush do të mbajë përgjegjësi? - Aktualitet
Aktualitet27 Janar 2023, 12:20

Gurorja e “Babasit” prish parkun Kombëtar të Krujës; Kush do të mbajë përgjegjësi?

Shkruar nga Pamfleti

Guroret në zona të mbrojtura nuk janë më diçka e re. Teksa të gjitha mediat flasin për to, i denoncojnë, askush deri më sot nuk është vënë përpara drejtësisë. Ose maksimumi, janë vënë njerëz që kanë lidhje të afërta, por kurrë pronarët e vërtetë. Replika do të sjellë rastin e ish-deputetit Ndriçim Babasi, i cili operon në Parkun Kombëtar të Krujës, edhe pse është gjobitur e pezulluar leja e punimeve që nga viti 2019.  Kemi parë njoftimet e policisë, kemi parë kronika televizive nëpër shumë media, por emri i tij është anashkaluar.

Vetëm pak ditë më parë policia  bëri një njoftim zyrtar me të cilin njoftoi arrestimin e Besnik Babasit  i cili shfrytëzonte Parkun Kombëtar të Krujës. Ndër të tjera, policia bëri dhe arrestime të personave që shfrytëzonin malin për gurë gëlqeror, dhe pse aktiviteti i tyre u pezullua që në vitin 2019, kur Mali i Krujës u shpall Park Kombëtar.

“Me date 16.01.2023 u be e mundur arrestimi i shtetasit : Besnik Ali Babasi vjeç 52 si dhe u shpall ne kerkim shtetasi : Ibrahim Islam Lami vjeç 55. Shtetasit e lartpermendur u arrestuan dhe u shpallen ne kerkim pasi nga kontrolli i bere ne subjektet e tyre gurore u gjeten pa dokumentacionin perkates per ushtrimin e nxjerrjes dhe perpunimin e materialeve inerte gurore. Per veprat penale, “Shperdorim i tokes”, “ Ndotja e ajrit dhe e ujrave dhe tokes” “ Demtim i habitateve ne zonat e mbrojtura  mjedisore” dhe “ Prerje e paligjshme e pyjeve” “, njoftoi policia.

Replika shkoi përtej njoftimit të policisë, duke u bazuar në vendimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, që për subjektin “Babasi Coo” që në 2019 i është revokuar leja dhe ka marrë 300.000 lekë gjobë. Por jo vetëm kaq, nëse hapim ekstraktin në Qendrën  Kombëtare të Biznesit të subjektit “Babasi Coo” administrator është Ndriçim Babasi ish deputet i PD. I cili hyri në garën e primareve në Krujë por më vonë u tërhoq. Pra një eksponent aktiv në Partinë Demokratike dhe që ka mbajtur postin e deputetit, shkel ligjin.

Nuk dihet nëse do ketë një hetim dhe nisjen e një procedimi për administratorin e Firmës apo prokuroria do mjaftohet me personin që gjeti në gurore, familjar i deputetit.

Më poshtë ekstrakti në QKB  “Babasi Coo”  dhe Vendimi i AKM./Replika.al


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Aktualitet #Gurorja e “Babasit” prish parkun Kombëtar të Krujës