Yuri Kim s’u bë kurrë peshkatare, por hajdut-kërkuese - Aktualitet
Aktualitet22 Tetor 2022, 11:43

 Yuri Kim s’u bë kurrë peshkatare, por hajdut-kërkuese

Shkruar nga Pamfleti
 Yuri Kim s’u bë kurrë peshkatare, por hajdut-kërkuese

 Yuri Kim s’u bë kurrë peshkatare, por hajdut-kërkuese

Ekzekutimi publik i arrestimeve dhe regjimi kalendarik i tyre, nuk është as në dorë të prokurorëve që i rreh Saliu; as të Saliut që ja shtrëngon burgjitë Edi; as të Edit që ja ‘shqyen’ brekushet Erdogani.

Shkruan Sokol Pepushaj

Ta kishim parë në ditët e para ambasadoren Yuri Kim si peshkatarë, nuk do na dukej në ditët e fundit si hajdut-kërkuese.

Por më mirë kështu, peshqit e Donald Lu-së, të gjithë e dimë, hajdutë janë. Pastaj, me peshkimin, sikur nuk kënaqen të gjithë, se shumica jetojnë maleve, ku peshku nuk është në ‘mënu’.

Prandaj metodat inovative të ambasadores Kim me tingujt piu, piuuu, jo vetëm mbajnë karikuar pritshmëritë, por edhe kanë trembur Sali Berishën, Ilir Metën, Edi Ramën, Çunat e Londrës, mafiozët, etj., etj.

Sikur kanë rënë ‘klloçka’ Saliu dhe Iliri, sikur u harrua amnistia fiskale, sikur silueta e spiunëve e ish sigurimsve u shfaq në Parlament vetëm për të xhiruar motorin në vend, se po ta kishin seriozisht ligjin, të parin do rrëzonin Saliun, Ilirin, Dvoranin e Gjykatës Kushtetuese e shumë deputetë e rropulli nëpër këtë Shqipëri që fle e zgjohet me hajdutë- kërkues në gji.

Realiteti në fokusin tonë është refreni i një rituali që çdo vjeshtë njerëzia shtron sofrën për “Peshk” e rri aty kot deri vjeshtën tjetër, madje edhe deri në ardhjen e Donald Lu-së tjetër.

Themi Donald Lu, se ai i numëroi “Peshqit” dhe u shtroi sofrën fukarenjve. Në atë fushë të madhe thirri një sojnike, ku ujqër, dele, iriqë e lepuj flenë e shohin ëndrra bashkë.

Delet dhe lepujt nganjëherë shohin ëndrra me hajdutë-kërkues me asish që as i lag shiu, as i qeveris Rama, as se ndjejnë stomakun bosh, as kapin për zhelesh prokurorë e gjykatës, as kanë “gozhdë” ku të varin shpresat, se opozita është po aq pis sa pushteti.

Po ç’pritet?

Vjeshta këtë vit erdhi pa ikur vera. Shqiptarët s’duronin dot atë tisin e përmotshëm vjeshtuk. Me “duart” e mendjes, më në fund, e zunë në një skutë të trurit dhe e “vranë” sundimin e krimit. Kanë ecur deri në vendin ku asnjëri nuk flet për hajdutë imagjinarë e anonim, por me emra e prona që i bëjnë me gisht.

Me gisht në “plagë”, për të disatën ditë rresht, në ekspeditën hajdut-kërkuese, nëpër dekorin e momenteve historike, ambasadorja Kim mban  me shpirt volframi-n e llambës 8 vatësh të shpresës, që të mos ftohet.

Ata që na çelën pak derën e BE-së, se ne nuk do të afroheshim kurrë atje, vendosën në gjumë krimin e zgjuan shpresat.

Ekzekutimi publik i arrestimeve dhe regjimi kalendarik i tyre, nuk është as në dorë të prokurorëve që i rreh Saliu; as të Saliut që ja shtrëngon burgjitë Edi; as të Edit që ja ‘shqyen’ brekushet Erdogani.

Jemi me fat që Yuri Kim s’u bë peshkatare, por hajdut-kërkuese./Pamfleti

Forum #hajdut-kërkuese #Yuri Kim s’u bë kurrë peshkatare