Dokumentet e CIA, ja pse Enver Hoxha nisi sulmet ndaj Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut, Hrushovi kërkoi llogari për vrasjen e Li - Aktualitet
Aktualitet10 Maj 2018, 15:46

Dokumentet e CIA, ja pse Enver Hoxha nisi sulmet ndaj Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut, Hrushovi kërkoi llogari për vrasjen e Li

Shkruar nga Pamfleti
Dokumentet e CIA, ja pse Enver Hoxha nisi sulmet ndaj Tuk Jakovës dhe Bedri

Dokumentet e CIA, ja pse Enver Hoxha nisi sulmet ndaj Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut, Hrushovi kërkoi llogari për vrasjen e Liri Gegës më 1956

CIA ka nxjerrë detaje sa na i takon përplasjeve brenda Partisë Komuniste. Në një dokument të deklasifikuar sa i takon regjimit të Enver Hoxhës, tregohet se si nisi përplasja me Tuk Jakovën dhe me Bedri Spahiun. Po ashtu tregohen detaje dhe nga vrasja e Liri gegës.

Çështja Jakova-Spahiu
Spastrimi i Jakovës e Spahiut ishte ose një tregues i ndjenjave të udhëheqjes shqiptare ndaj bisedimeve Hrushov-Tito në Beograd ose një lëvizje parandaluese presioni ndaj elementëve pro-titistë brenda partisë shqiptare. Nuk ka shumë gjasa që Jakova dhe Spahiu të kishin vërtet kontakte me agjentë jugosllavë në 1955, pasi të dy ata kishin luajtur rol të rëndësishëm në ndarjen me Jugosllavinë në 1948 dhe kishin mbështetur fuqimisht linjën sovjetike.

Pas denoncimit të Koçi Xoxe në 1948, vendin e tij e kishte zënë Jakova, i cili kishte drejtuar sulmet kundër tij dhe mbështetësve, duke i quajtur “agjentë të jugosllavëve trotskistë”. Spahiu gjithashtu kishte qenë prokurori i shtetit në gjyqin e Xoxes dhe kishte drejtuar mbledhjen e provave kundër tij.

Por spastrimi i tyre erdhi vetëm sepse kishin humbur statusin në udhëheqjen Hoxha-Shehu pasi ishin ulur në detyrë në 1951. Ndoshta ata mund të kenë folur keq ndaj konfrontimit të Shqipërisë me BRSS duke u kthyer në një shënjestër të udhëheqjes për të shtypur një lëvizje të mundshme opozicioni që në djep. Spastrimet u ndoqën nga një editorial në “Zërin e Popullit” në qershor 1955 ku sinjalizohej qartë se Hoxha e rrethi i tij nuk kishin ndërmend të modifikonin politikat ndaj Jugosllavisë, siç po sugjeronin sovjetikët.

Artikulli trajtonte përpjekjen e partisë kundër manifestimeve të ideologjisë borgjeze dhe për herë të parë në disa vjet i referohej drejtpërdrejt “titistit Xoxe” dhe dëmit që ai i kishte bërë partisë.
Artikulli thoshte: “Edhe tani, zbulimi i elementëve anti-parti nuk është surprizues, pasi elementët borgjezë në parti kanë ekzistuar dhe presioni i armikut të klasës mbi anëtarët e partisë ka vazhduar.

Në këto rrethana përpjekja e partisë duhet të drejtohet ndaj çdo lloj liberalizmi dhe oportunizmi brenda partisë, kundër nacionalizmit borgjez”. Një tjetër provë e ftohtësisë së Shqipërisë ndaj hapjes sovjetike për jugosllavët, është dhe qasja e tyre në fushën kulturore, teksa Tirana nuk kreu asnjë nga iniciativat e BRSS dhe vendeve të bllokut me këmbimet kulturore të delegacioneve sportive, parlamentare e ekonomike.

Tensionet Shqipëri-Jugosllavi
Jugosllavia nuk duket se vuri re qëndrimin shqiptar deri nga fundi i gushtit. Duke komentuar mbi vrasjen e një bariu jugosllav në një incident kufitar në 20 gusht, shtypi jugosllav sulmoi udhëheqjen shqiptare duke thënë se marrëdhëniet me ta ishin më të këqijat në bllok. Shqipëria pranoi fajin për incidentin por nuk kërkoi falje ndaj palës jugosllave dhe mesazhi që dërguan në Beograd ishte i një toni të njëjtë kur në një incident të ngjashëm një vit më parë Tirana ofroi të paguante gjysmën e kompensimit të kërkuar nga jugosllavët. Po në këtë kohë Hoxha u nis për një vizitë në Moskë.

Ai u prit nga Hrushovi dhe udhëheqës të tjerë, të cilët u përpoqën të zbusnin frikën e tij për ambiciet dhe qëllimet e jugosllavëve dhe kërkuan që Shqipëria të zbuste propagandën anti-jugosllave. Takimi pati efektin e tij të përkohshëm dhe deri në fund të vitit marrëdhëniet mes dy fqinjëve ishin drejt përmirësimit.

Në shkrimet e tij mbi marrëdhëniet me Shqipërinë, ministri i Jashtëm jugosllav Popoviç thotë: “Qeveria shqiptare po tregon së fundmi gatishmëri për të zbutur disa nga çështjet ekzistuese, prandaj qeveria jugosllave pret që zgjidhja e këtyre çështjeve të hedhë bazat e marrëdhënieve të mira fqinjësore”. Për herë të parë në historinë e partisë së Shqipërisë, të dy udhëheqësit e saj u larguan bashkë nga vendi për të marrë pjesë në kongresin e 20 të partisë sovjetike në shkurt 1956.

Konkluzionet e këtij kongresi u publikuan gjerësisht në Shqipëri dhe Hoxha i dha mbështetjen e tij, madje duke pranuar se në vitet e fundit të jetës Stalini bëri disa gabime. Hoxha pranoi gjithashtu se “gabime janë bërë dhe në vendin tonë” dhe theksoi nevojën e udhëheqjes kolektive e lidhjes së partisë me masat e të kujdesit ndaj entuziazmit të tepruar nga forcat e sigurisë.

Për momentin dukej se udhëheqja shqiptare po lëvizte për të modifikuar politikat e brendshme dhe marrëdhëniet me Jugosllavinë, sipas këshillave të BRSS. Por brenda një muaji nisi përsëri t’i rezistonte ndryshimit të praktikave staliniste në marrëdhëniet me Jugosllavinë. Ashtu si në vende të tjera të Evropës Lindore në pranverën e vitit 1956, edhe në Shqipëri nisi një valë nacionalizmi, kërkesa për më shumë demokraci dhe korrektim të gabimeve e padrejtësive. Por që në shenjat e saj të para lëvizja u shtyp egërsisht nga Hoxha e Shehu duke eliminuar të gjithë elementët disidentë.

Konferenca e 1 prillit 1956
Zhvillimet në konferencën bashkiake në Tiranë në fund të prillit rindezën frikën e udhëheqjes për opozicion, teksa shtatë anëtarë të komitetit bashkiak kritikuan praktikat e udhëheqjes duke akuzuar për braktisje të idealeve të komunizmit dhe praktikum të kultit të individit. Ata kritikuan politikën e aleancës totale me BRSS dhe dolën në mbrojtje të politikave titiste të bashkëpunimit si me Lindjen dhe me Perëndimin. Por toni i fjalimeve të tyre nuk ishte i ndezur dhe opozitar, prandaj ata u duartrokitën me entuziazëm dhe anëtari i Byrosë Politike i pranishëm në sallë nuk reagoi ndaj tyre, por vetëm pezulloi sesionin.

Lajmi ishte përhapur shpejt në kryeqytet dhe sheshi para sallës së mbledhjes ishte mbushur me njerëz para sesionit të pasdites. Me nisjen e sesionit të dytë, i gjitha komiteti qendror kishte ardhur në sallë dhe Hoxha dënoi folësit e mëngjesit si grup “anti-parti”. Zyrtarë të tjerë folën pas tij duke dënuar idetë e reja, megjithëse shumë njerëz kishin pritur që ato të mbështeteshin. Njerëzit në sallë rrinin të shtangur. Pas fjalës së zyrtarëve, folësit e mëngjesit dhanë fjalime boshe autokritike, por gjithsesi u arrestuan po atë mbrëmje.

Çështja “Gega”

Policia shqiptare lëvizte me shpejtësi për të ndaluar të gjithë devijacionistët. Në këtë kohë u arrestua dhe Liri Gega, që më parë kishte qenë drejtuese e partisë dhe partizane e vjetër, bashkëshorti i saj gjeneral Dali Ndreu, dhe Petro Bulatova, shtetas jugosllav. Gega ishte përjashtuar nga Byroja Politike në 1944 pas një debati fraksionesh me Xoxen dhe në 1956 ishte mësuese në Fier. Bashkëshorti i saj Ndreu kishte qenë gjithashtu oficer partizan, por u ul në detyrë në 1948.

Më 22 nëntor 1956 gega, Ndreu e Bulatova u ekzekutuan për akuza “lidhje me spiunazh të vendeve të huaja dhe krime të rënda kundër popullit dhe qeverisë”. Arrestimi dhe ekzekutimi i të treve është i veshur me mister, por këmbimet e akuzave të mëpasshme mes Tiranës dhe Moskës bëjnë të qartë se çështja Gega kishte luajtur rol të rëndësishëm. Shqipëria raportonte se Gega dhe i shoqi ishin kontaktuar nga jugosllavët për të organizuar grusht shteti.

Por kjo duket e dyshimtë pasi Gega pas heqjes nga postet e rëndësishme gjatë kohës së aleancës me Jugosllavinë, nuk kishte pse të ruante simpati për ta. Më logjike do të ishte se ashtu si Jakova e Spahiu një vit më herët, ajo të përfitonte nga qëndrimi i udhëheqjes për të goditur armiqtë e vjetër. Rëndësia e këtij rasti tregohet dhe nga ekzekutimi i saj se bashku me dy bashkëpunëtorët, që ishte i paprecedentë në Shqipëri që prej vitit 1948. Kur Xoxe dhe bashkëpunëtorët e tij u shpallën fajtorë për akuza të ngjashme në 1948, vetëm Xoxe u ekzekutua kurse pjesa tjetër u liruan më vonë.

Ekzekutimi ishte i veçantë pasi mënyra e zakonshme e eliminimit të armiqve ishte burgosja ose largimi nga Tirana. Prandaj dhe debatet partiake mes Hoxhës dhe Hrushovit në Moskë në 1960 e 1961 mbi ekzekutimin e Gegës, marrin më shumë rëndësi. Në konferencën e Moskës në nëntor 1960 Hoxha pretendon se në kongresin e tretë të partisë shqiptare në maj 1956 ishte dhënë informacioni për “eliminimin fizik të agjentëve jugosllavë, përfshi dhe një grua shtatzënë”.

Në kongresin e 22 të partisë sovjetike në tetor 1961, Hrushov pranon se ka ndërhyrë me udhëheqjen shqiptare për llogari të Liri Gega. Ai tha se duheshin marrë në konsideratë “arsyet humanitare dhe dëshira për të evituar ekzekutimin e një gruaje, për më tepër shtatzënë”. Por në vend të arsyeve humanitare mund të kishte qenë interesi sovjetik për të mbrojtur njerëz që kshin pikëpamje të njëjta me Moskën. Gjithsesi ka pak arsye për të besuar se Gega ka qenë në kontakt me agjentë sovjetikë apo jugosllavë për të promovuar përmbysjen e klikës Hoxha-Shehu.

Të gjitha provat tregojnë se sovjetikët i drejtuan përpjekjet e tyre në 1956 te udhëheqësit e vendeve për pranimin e politikave më liberale, dhe jo me përmbysjen e fshehtë të pushteteve. Gega duket se ishte nën arrest dhe e dënuar me vdekje që në maj 1956, or ekzekutimi u shty nga presioni sovjetik. Në mundësinë e parë që iu dha Hoxhës pas revolucionit në Hungari dhe me rinisjen e polemikave sovjeto-jugosllave në nëntor, Gega e të tjerët u ekzekutuan. Vetëm në mars 1957 e përditshmja ruse Pravda njoftoi se “një grup anti-parti që po përgatiste kryengritje, u zbulua pak kohë më parë në Tiranë”.

Presioni për rehabilitimin e Xoxe
Çështja Gega nuk ishte e vetmja me të cilën sovjetikët po ndërhynin në çështjet e brendshme shqiptare. Në fjalimin e tij në 7 nëntor 1961 Hoxha pretendoi se në prill dhe maj 1956 udhëheqja sovjetike me anë të Suslov e Pospelov ishte përpjekur të bindte partinë shqiptare të rehabilitonte “tradhtarin” Koçi Xoxe. Ai tha se kjo tentativë ishte bërë pikërisht në kohën e konferencës bashkiake në Tiranë ku elementët oportunistë tentuan të bënin komplot me nxitjen e revizionistëve jugosllavë.

Me shumë gjasa udhëheqësit shqiptarë i konsideronin këto si tentativa ndaj posteve të tyre, për t’i zëvendësuar me elemente besnikë të Titos. Kësaj ideje i shtohet dhe një artikull të gazetës jugosllave “Nova Makedonie” më 14 maj 1956 ku thuhej se një ligj i nisur nga Mehmet Shehu ishte hedhur poshtë dy herë nga parlamenti shqiptar. Një tjetër provë se presioni sovjetik për rehabilitimin e Xoxe ishte një hap për përmbysjen e Hoxhës e Shehut nga pushteti, ishte dhe njoftimi i udhëheqjes sovjetike për partinë shqiptare i një komunikimi sekret që Hrushovi i dërgoi Titos në 9 nëntor 1956.

Mesazhi thoshte: “Ne (partia sovjetike) vërejmë me kënaqësi se prej bisedimeve në Brioni (shtator 1956) jemi plotësisht dakord se Janos Kadar është një figurë e shquar revolucionare në Hungari. Ju keni qenë të kënaqur me faktin se BRSS pas largimit të Rakosit, është përpjekur të vendosë Kadar si sekretar i parë i partisë hungareze”. Hoxha dhe Shehu sigurisht që u tronditën por nuk çuditeshin më që Hrushovi diskutonte me Titon për të caktuar udhëheqësin e një vendi tjerr komunist.

Ata e interpretuan këtë si provë që rehabilitimi i Xoxe ishte hapi i parë i largimit të tyre nga pushteti, ashti si rehabilitimi i Raik në Hungari dhe i Kostov në Bullgari, që çuan në largimet e respektivisht të Rakosit dhe Çervenkov. Në sytë e shqiptarëve ishte e qartë se për të risjellë Jugosllavinë në bllok, Hrushovi ishte gati të sakrifikonte Shqipërinë ose satelitë të tjerë që nuk aprovonin Titon. Kjo ishte një provë për tradhtinë e Hrushovit dhe tronditi thellë besimin e udhëheqësve shqiptarë në lidhjet me Moskën. Prandaj ishte koha për të gjetur një aleat më të besueshëm dhe në këtë pikë udhëheqja shqiptare nisi të hedhë sytë nga Kina

Dossier Dokumentet e CIA Hrushovi kërkoi llogari për vrasjen e Liri Gegës më 1956 ja pse Enver Hoxha nisi sulmet ndaj Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut