Të dhënat e personave të skeduar dolën sheshit, policia vijon kërcënimet ndaj medias: Mos publikoni informacionet, nuk janë të sistemit MEMEX - Aktualitet
Aktualitet 3 Tetor 2022, 14:59

Të dhënat e personave të skeduar dolën sheshit, policia vijon kërcënimet ndaj medias: Mos publikoni informacionet, nuk janë të sistemit MEMEX

Shkruar nga Pamfleti
Të dhënat e personave të skeduar dolën sheshit, policia

Policia ka vijuar me kërcënimet ndaj mediave, sa i takon të dhënave të publikuara nga hakerët. Sot shteti mori një tjetër goditje, pasi hakerët publikuan databazën me të gjithë personat e dyshuar si të skeduar për krime. Dyshimet janë se të dhënat janë marrë nga sistemi MEMEX.

Por policia ka reaguar me urgjencë, duke thënë se mediat nuk duhet të publikojnë të dhënat, teksa shprehet se sistemi MEMEX nuk është prekur fare nga sulmi i hakerave.

Nga deklarimet e bëra sot në media dhe referimet e këtyre deklarimeve, sipas të cilave janë marrë të dhëna nga sistemi MEMEX, sqarojmë opinionin publik se ky sistem nuk është prekur dhe se këto të dhëna nuk kanë të bëjnë fare me databazën e sistemit policor MEMEX.

Policia e Shtetit njofton se, deri në këto momente, nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem, të cilat kanë të bëjnë me punën policore.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, po heton origjinën e rrjedhjes së këtyre të dhënave dhe apelon që, në zbatim të urdhrit të prokurorit, të datës 19.09.2022, të mos publikohen nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit, të dhëna që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik ndaj sistemeve dixhitale të Policisë së Shtetit”, shprehet policia.

Aktualitet #MEMEX hakera policia