DEA e FBI i sjellin Arta Markut provat për supertrafikantin e drogës Klemend Balili, gati marrja nën hetim e ministrave të M - Aktualitet
Aktualitet28 Mars 2018, 13:13

DEA e FBI i sjellin Arta Markut provat për supertrafikantin e drogës Klemend Balili, gati marrja nën hetim e ministrave të M

Shkruar nga Pamfleti
DEA e FBI i sjellin Arta Markut provat për supertrafikantin e drogës

DEA e FBI i sjellin Arta Markut provat për supertrafikantin e drogës Klemend Balili, gati marrja nën hetim e ministrave të Metës.

Hetimi i trafikut të drogërave të forta, sidomos pas ndalimit dhe sekuestrimit në portin e Durrësit të mbi 613 kilogramë kokainë, ka bërë që prokuroria të rishohë më me vëmendje dosjen e të shumëkërkuarit për trafik droge Klemend Balili.

Gjatë hetimit të dosjes së drogërave të forta në Shqipëri, teksa janë “kryqëzuar” faktet del shumë herë dhe emri i ish zyrtarit të LSI, i cilësuar si “Eskobari i Ballkanit”. Për këtë qëllim, qoftë përmes letër-porosive, qoftë dhe në komunikim direkt Prokuroria shqiptare ka kërkuar nga organet ligjzbatuese partnere gjithë dokumentacionin që dispozojnë.

Dokumentacion që mund të përbëjë provë të mundshme për ngushtimin e lakut për kapjen e Balilit. Këto prova Arta Marku, kryeprokurorja e përkohëshme i ka kërkuar nga DEA amerikane e antidrogës dhe nga FBI. Të cilat në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi janë të instaluara në Shqipëri. Por që komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm me qendrën në Uashington por dhe me qendrat rajonale respektive në Athinë dhe Sofje. Prova që ia kanë vendosur në tavolinë Arta Markut.

Në kuadër të këtij hetimi të gjithanshëm, për të kopsitur deri në fund dosjen e trafikut të drogës së Klemend Balilit, janë evidentuar dhe dokumentet që kanë të bëjnë me favorizimin ndaj tij për t’u larguar pa u kapur nga policia. Por dhe lehtësirat financiare që i janë dhënë si dhe ryshfetet që Klemend Balili ka dhënë për zyrtarët e lartë në këmbim të mbrojtjes së aktivitetit të tij dhe vetë Klemendit personalisht.

Prokuroria shqiptare deri më tani ka evidentuar dy ish ministra të LSI për ti pasur si pjesë të hetimit. Ata janë ish ministri i Drejtësisë Ylli Manjani dhe ish ministri i Bujqësisë Edmond Panariti. Ish ministri Manjani pritet të pyetet për vonesat në përkthimin e dosjes së ardhur nga DEA amerikane me qendër në Athinë për aktivitetin kriminal dhe të trafikut të heroinës së Klemend Balilit.

Nën pretendimet e vonesave burokratike, të mungesës së përkthyesve të certifikuar ish ministri i Drejtësisë i LSI Ylli Manjani e vonoi afër tre muaj dosjen e Klemend Balilit. Kohë që supertrafikanti i drogës, ish zyrtar i lartë i LSI, e shfrytëzoi për ti shpëtuar policisë dhe organeve ligjzbatuese. Njëherësh teksa i bashkangjit ngjarjet me njëra tjetrën, Ylli Manjani dyshohet se nuk e ka ndihmuar Balilin thjeshtë dhe vetëm se ka qënë përfaqësues dhe financues i LSI, por dhe për interesa personale. Pasi ish ministri i Drejtësisë Manjani, ka blerë një hyrje në Sarandë në pallatin e ndërtuar nga Klemend Balili. Themi pallati i Klemendit pasi vëllezërit janë kothere dhe administrojnë vetëm pronat e vëna nga trafiku i drogës prej tij.

Prokuroria ka dokumentet e plota të akt-marrëveshjes të 15 korrikut 2015 mes subjektit dhe pronarit të truallit, Bashkim Balili, dhe më pas kontratën e shit-blerjes të Ylli Manjanit të 20 gushtit 2015, ku flitet për blerjen e një apartamenti 51 m2 në pallatin e ndërtuar në truallin e Balilit.

Manjani e ka pranuar blerjen e kësaj hyrjeje, por e argumenton me faktin se kontrata eshtë nënshkruar me një firmë tjetër. Janë bërë publike dokumente, që realisht janë kontrata zyrtare, midis dy palëve, një firme ndërtimi, e cila më 22 maj 2011 ka marrë për të ndërtuar një sipërfaqe trualli në Sarandë, pronar i të cilës është vëllai i Klement Balilit, Bashkim Balili.

Manjani ka pretenduar se ai ka blerë hyrje te e njëjta banesë, por që nuk ja ka blerë Klement Balilit. Sipas Manjanit, firma D.A.E.D, ka kontratë për ndërtim objekti me familjen Balili, por edhe me pronarë të tjerë trojesh në Sarandë. Manjani në atë kohë theksonte se ajo që duhet të jetë një keqkuptim apo pasaktësi është fakti se ai ka një hyrje në Sarandë nga firma D.A.E.D, por jo në pronën e Balilit, por të një tjetër qytetari. Por organi i akuzës ka dyshime të forta se kjo hyrje banese i është dhuruar Manjanit nga Balili me qëllim që të ketë ndihmën e tij politike për ta nxjerrë nga ndonjë siklet i mundshëm.

Manjani, sikurse ka shkruajtur disa herë “Pamfleti” ia ka shpërblyer më se njëherë. Ndaj prokuroria ka vendosur ta thërrasë për ta pyetur Manjanin për Klemend Balilin dhe trafikun e drogës. Pasi dhe banesa që ka blerë te Balilët apo marrë dhuratë Manjani, tashmë është nën sekuestro.

Ndërkohë organi i akuzës në kuadër të hetimit të pasurive të trafikantit të drogës heroinë Klemend Balili, por shqyrton dhe pasuritë që mund të kenë shërbyer për pastrimin e parave. Të cilat janë vënë nën sekuestro dhe që janë pasuri të patundshme, si toka, banesa, resorte turistike etj. Fjala është për toka që janë marrë nga Klemend Balili në jug në vendit në emër të familjarëve të tij. Kontratat janë nënshkruar mes përfaqësuesve të kësaj familjeje dhe Ministrisë së Bujqësisë të drejtuar në atë kohë nga ministri i LSI Edmond Panariti.

Kontrata e parë nënshkruar më 20. 05. 2016. Një kontratë e firmosur mes ministrisë së Bujqësisë dhe Balili & co sh.p.k. Ministria e Bujqësisë vë në dispozicion të Balili & co 21. 4 ha tokë bujqësore në Buronjë të Delvinës. Kompania administrohet nga Bashkim Balili, një prej familjarëve të Klement Balilit. Klement Balili në atë kohë ishte një person nën kërkim.

Kjo kontratë është lidhur kur partnerët tanë në vendin fqinj Greqi por dhe agjencitë ligjzbatuese në Tiranë, shpallën në kërkim Klement Balilin. Pra i jepet tokë një njeriu që është në kërkim ndërkombëtar. Kontrata e dytë e nënshkruar 06.07. 2016, dy muaj pasi Klement Balili u shpall në kërkim dhe pronat e gjithë familjes Balili bastiseshin në kërkim të tij. Kjo kontratë është lidhur me shoqërinë “Alb Universal 1995”. Kjo kompani ishte themeluar nga shtetasi Albin Bashkim Balili, djali i Bashkim Balilit, vëllai i Klement Balilit. Kjo kontratë i jep kompanisë Alb Universal, sipërfaqen 90.4 ha në zonën kadastrale pasuri në njësinë admistrative Piskov, bashkia Përmet.

Kjo është një kontratë dhënë nga Ministri i LSI dhe në kohën kur Balili ishte shpallur në kërkim nga policia. Kjo kontratë është dorovitur për 21 vite tek një 21 vjeçar që merr nga ministria e Bujqësisë 90 ha për të mbjellë me arra, shegë e lajthi, dhe nuk është zbatuar nga ajo ditë deri sot.

 

Një 21 vjeçar që se kishte mendjen tek bujqësia dhe ky është një pastrim i pastër parash, dhe njëherësh ndihmë për supertrafikantin e drogës, ish zyrtarin e LSI Klemend Balili. Për këtë arsye Prokuroria ka vendosur të marrë nën hetim dhe ish ministrin e Bujqësisë, përfaqësues të LSI Edmond Panariti. Do të shihet shkalla e implikimit të dy ish ministrave të Metës dhe aferën e supertrafikantit të drogës Klemend Balili. Por sëpaku janë marrë nën hetim, dhe pritet të pyeten./Pamfleti.com

Kryesore