Largohet nga jeta Luan Myftiu, autor i veprës “Nën terrorin komunist”, një nga mendjet e ndritura që “part - Kulture
Kulture 9 Qershor 2019, 17:56

Largohet nga jeta Luan Myftiu, autor i veprës “Nën terrorin komunist”, një nga mendjet e ndritura që “part

Shkruar nga Pamfleti
Largohet nga jeta Luan Myftiu, autor i veprës “Nën terrorin

Ka Ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare shkrimtari i njohur Luan Myftiu. Shkrimtar, përkthyes, mësues dhe poet, regjimi komunist e dënoi si të burgosur politik, sepse siç ndodhte rëndomë në atë, mendjet e ndritura ishin jashtë juridiksionit intelektual të partisë. Ai u përball me regjimin e egër që në fëmijëri, pasi i burgosi babain, i ekzekutoi vëllain dhe më pas nipin.

Lindi më 2 shkurt 1933, në Berat. Në moshë të vogël mbeti jetim. Kreu shkollën pedagogjike në Berat, dhe, për disa kohë, punoi si mësues. U arrestua në dhjetor të vitit 1975, në Vlorë. Më 20 prill 1976, Gjykata e Rrethit të Beratit e deklaroi fajtor për «agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor» dhe e dënoi me 10 vjet burg, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Dënimin e vuajti në burgun e Spaçit, ku dhe u ridënua. Pas rënies së diktaturës u vendos në Tiranë.

Veprat e tij “Nën terrorin komunist” dhe ese të tjera janë pjesë e një trashëgimie që nuk do ta lëkundë koha, veçse do ta bëjë të pavdekshme. Ka përkthyer “Aforizma të papërshkruara ndonjëherë” të Oskar Uajldit dhe “Net të bardha” të Dostojevkit.

Për të mund të shkruhet e flitet jashtëzakonisht shumë, por do të desha të ndaja me ju një dëshmi të Maks Velos, në librin e tij “Spaçi”, e cila përshkruan më së miri atë çka Luan Myftiu ishte. Luanin do e përcjellin për në banesën e funit ata që e deshën dhe e mbështetën, të hënën paradite, kur ai do t’i përkasë një herë e përgjithmonë historisë së letrave shqipe.

“L. M. (Luan Myftiu) e adhuronte të ëmën.

– Ishte e bukur – thoshte, – ishte shumë e bukur.

– E, e…., kështu na janë dukur të gjithëve nënat tona kur kanë qenë të reja, – i përgjigjesha.

– Jo, jo… Isha shtatë vjeç e gjysmë atëherë, por po të them se grua më të mirë dhe më të bukur nuk kam parë.

Më pëlqente ta pyesja L.M., miqtë e tij dhe doja të dija më shumë për të. Një shok i përbashkët më tha se e ema e tij u trondit në mënyrë të pakthyeshme dhe vdiq në spital. L.. ishte mysliman, por më tregoi se që i vogël shkonte në kishat e kalasë dhe shtangej i habitur duke parë ikonat dhe skenat e afreskave në altar dhe nëpër mure…. L. i kishin arrestuar të atij. E ëma e vetme, mbante fëmijët dhe ndiqte burrin burgjeve. Pastaj i arrestuan të vëllanë. E gjykuan dhe e dënuan me pushkatim. Pastaj i arrestuan, dënuan dhe skzekutuan të n ipin. E pati vështirë ta përballojë këtë mynxyrë.

Një mbërmje kur kthehet nga shkolla, L. gjen të ëmën në mes të dhomës të lidhur me pranga. Kishte qenë në hetuesi, i kishte sharë, mallkuar dhe ata e lidhën, e dërguan ashtu të lidhur, të shoqëruar me një policë në shtëpi.

Ajo shihte dikur larg, sipër kokave të fëmijëve, në boshllëk. Ishte e qetë. Mbas një ore hyn në shtëpi oficeri i degës dhe pasi sheh gjendjen, para se të largohet porosit fëmijët të mos ia hiqnin prangat. Natën fëmijët e çlirojnë të ëmën. Nuk ua kishin vunë drynin prangave.

Në mëngjes ajo u thoshte:

– Të dashur… mi vini prangat, ata do të vijnë.

Dhe fëmijët ia vunë prangat nënës së tyre. Ashtu priti ditën e re, me pranga në duar, duke parë lart dhe nuk guxonte t’i shihte fëmijët në sy. Që atë ditë, nuk u kthye më nga ajo gjendje.

KUPTOVA QË L. ISHTE I NDRYSHËM NGA NE. GJITHMONË KAM MENDUAR SE NJERËZ SI AI KANË PASUR NË JETË NJË NGJARJE TË VEÇANTË, TË PAPËRSËRITSHME.

L.M. E KISHTE BËRË TË TILLË SAKRIFICA E NËNËS, REFUZIMI I SAJ PËR TË JETUAR NË NJË BOTË TË DOMINUAR NGA KRIMI.

ANDAJ KY NJERI BURONTE MIRËSINË DHE DASHURINË SI TË NJË SHENJTORI.” – Maks Velo, “Spaçi”, fq. 164-165

Kulture