Thellohet ndëshkimi: Nga heqja e prefiksit te ndalimi i liberalizimit të vizave; lista me 6 sanksione ndaj Kosovës - Aktualitet
Aktualitet 2 Shkurt 2023, 10:55

Thellohet ndëshkimi: Nga heqja e prefiksit te ndalimi i liberalizimit të vizave; lista me 6 sanksione ndaj Kosovës

Shkruar nga Pamfleti
Thellohet ndëshkimi: Nga heqja e prefiksit te ndalimi i liberalizimit

Albin Kurti

Deklarata e zyrtarit të DASH para pak ditëve se “ushtarët tanë nuk do të vriten për të mbrojtur kufijtë tuaj”, është edhe një sinjal dramatik për një zvogëlim të ushtarëve të KFOR, çka është shumë i rëndë. E shto këtu rikthimin e frikshëm të UNMIK, atëherë gjendja rikthehet në një mjedis edhe më dramatik…

Vijon bombardimi i mediave serbe mbi tensionin e krijuar për arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit.

Pas bllokimit të aplikimit për anëtarësimin në Këshillin Europës, sot mediat e Beogradit publikojnë 6 sanksione që Perëndimi ka përgatitur ndaj Prishtinës.

Sipas gazetës ‘Veçernie Novosti’, “Perëndimi i udhëhequr nga SHBA ka përgatitur një listë me gjashtë shkopinj që do të bien mbi kokën e Albin Kurtit së shpejti”.

E po sipas medias serbe, masat ndëshkuese me të cilat autoritetet e Kosovës mund të përballen janë:

1. “Heqja e prefiksit +383 për Kosovën,

2. Shpërbërja e plotë e komunave në veri nga sistemi i institucioneve të Prishtinës,

3. Dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bernjak do të vendosën nën kontrollin e policëve ndërkombëtarë të UNMIK, duke larguar policinë dhe autoritetin e doganës së Kosovës,

4. Ndalimi plotë i mbështetjes financiare nga perëndimi, nga i cili në masë të madhe varet buxheti i Kosovës,

5. Ngrirja e procedurës së nisur për liberalizimin e vizave në vendet e hapësirës Shengen,

6. Vendosja në sirtar i aplikimit të Prishtinës për anëtarësim në BE deri në një njoftim të dytë.”

Sipas medias serbe, këto pika i janë dërguar Albin Kurtit përmes kanaleve diplomatike joformale, duke i bërë të ditur se mund të humbasë plotësisht mbështetjen që kishte marrë bujarisht nga qendrat politike perëndimore të pushtetit në vitet e kaluara, pra mund të vihet në pikëpyetje edhe mbijetesa e tij në pushtet.

Paralajmërimi i parë serioz tashmë erdhi dje. Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk ishte në agjendën e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate, e cila mblidhet çdo të mërkurë.

Uashingtoni kishte kërkuar më herët që aplikacioni i Prishtinës të mos diskutohej në KiE, e cila u dërgoi një notë shumicës së shteteve evropiane që të mos e vendosin kërkesën e Prishtinës në rend dite, derisa Kurti të formojë JSO, që është obligim nga Marrëveshja e Brukselit e nënshkruar 10 vjet më parë.

Ndërkaq, ‘Novosti’ thekson më tej se, vendet e Quintit: SHBA, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe janë të mendimit se Prishtina duhet së pari të tregojë një qasje konstruktive në dialogun me Beogradin. Deri atëherë, ata nuk do të mbështesin kërkesën e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që mblidhet çdo të mërkurë.

Ambasadorja e Serbisë në Këshillin e Europës, Aleksandra Gjuroviç, ka deklaruar se plani fillestar ishte që më 1 shkurt të vihet në rend dite aplikimi i Prishtinës, por që dje kjo pikë e rendit të ditës u hoq, me kërkesën formale të ambasadorit të Islandës.

“Fillimisht në Strasburg, Italia doli me mendimin se nuk është ky momenti për diskutimin e çështjes së aplikimit të Kosovës në KiE. Pas Italisë u bashkua Franca, e para disa ditësh edhe Gjermania”, tha për Novostin, ambasadorja serbe në Strasburg, Gjuroviç.

Por media serbe, rreket të tregojë se një tjetër tregues i izolimit politik të Albin Kurtit, ishte kur negociatori i BE-së për Kosovën, Miroslav Lajçak, nuk e takoi ‘tete a tete’ si herët e tjera, por në prezencë të shefit negociator të Prishtinës në BE, zv.kryeministrit Besnik Bislimi.

Lajçak organizoi një darkë të gjerë pune ku u diskutua për Asocacionin, që është parakusht më pas për të diskutuar planin evropian për Kosovën, bazuar në propozimin Scholz-Macron. Kurti nuk ka marrë as ftesë për debatin mbi Asocacionin që u zhvillua nga ambasada e SHBA në Prishtinë.

Sllobodan Zeçeviç, një ekspert i marrëdhënieve me Perëndimin, thotë për Novostin se “pas shumë karotave që i janë ofruar Albin Kurtit, tani është radha e shkopinjve, që do të bien fort në kokën e kryeministrit të Kosovës”.

Sipas tij, Perëndimi ka mekanizma të shumtë që mund t’i aktivizojë. Madje ai shkon edhe më tej, kur deklaron se pozicioni i Kurtit në krye të qeverisë së Prishtinës nuk është më aq i sigurt, pasi ai dalëngadalë po e humb mbështetjen perëndimore.

‘Novosti’ shkon edhe më tej në këtë skenar ogurzi, duke shtuar se ekziston mundësia që në fund të këtij viti të zhvillohen zgjedhje të parakohshme parlamentare në Kosovë për shkak të krizës së vazhdueshme politike dhe situatës ekonomike.
Një tjetër analist serb mbi zhvillimet në Kosovë, flet për një “scoop” tjetër.

Ognjen Karanoviç, nga Qendra për Stabilitet Social, thotë për Novostin se Albin Kurti tashmë ka marrë një mesazh të hapur nga Uashingtoni që “ai mund të paketojë valixhet avash- avash”.

Po sa të vërteta mund të jenë tezat që shtrojnë mediat serbe?

Sipas të gjitha gjasave ka një ekzagjerim siç ndodh shpesh, por megjithatë, fryma ndjehet e rëndë. Ambasadori i SHBA në Serbi, i paoksidueshmi Chris Hill, deklaroi për televizioni N1 se “Serbia ka zgjedhur Perëndimin, duke braktisur Rusinë”.

Një përfundim dramatik, që nuk duket një blof nëse del nga goja e një zyrtari të lartë të SHBA-së. E nëse është kështu, nuk është më Kosova “hirushja” e Perëndimit, por llastimi ndaj Beogradit do të vijojë.

Deklarata e zyrtarit të DASH para pak ditëve se “ushtarët tanë nuk do të vriten për të mbrojtur kufijtë tuaj”, është edhe një sinjal dramatik për një zvogëlim të ushtarëve të KFOR, çka është shumë i rëndë.

E shto këtu rikthimin e frikshëm të UNMIK, atëherë gjendja rikthehet në një mjedis edhe më dramatik…/Pamfleti

Kryesore #Nga heqja e prefiksit te ndalimi i liberalizimit të vizave; lista me 6 sanksione ndaj Kosovës