Punësimet e reja, Administrata Publike hap dyert. Pozicionet që kërkohen në Kryeministri, Ministri dhe Drejtori - Aktualitet
Aktualitet24 Maj 2018, 08:24

Punësimet e reja, Administrata Publike hap dyert. Pozicionet që kërkohen në Kryeministri, Ministri dhe Drejtori

Shkruar nga Pamfleti
Punësimet e reja, Administrata Publike hap dyert. Pozicionet që

Punësimet e reja, Administrata Publike hap dyert. Pozicionet që kërkohen në Kryeministri, Ministri dhe Drejtori

Kushdo që është i interesuar të punojë në administratë, tashmë mund të aplikojë dhe të bëhet pjesë e procesit të përzgjedhjes së stafit. Kryeministri Edi Rama ka hapur dyert e administratës për punonjës jashtë shërbimit civil. Kjo do të thotë se për vendet e lira të punës mund të aplikojnë duke dorëzuar dokumentet e kërkuara edhe njerëzit e thjeshtë, që nuk janë pjesë e shërbimit civil. Pas marrjes së vendimit të Këshillit të Ministrave, një mundësi e tillë punësimi është bërë publike edhe në faqen e Qendrës së Botimeve Zyrtare, ku ndër të tjera bëhen të ditura edhe pozicionet që kërkohen në Kryeministri, ministri dhe drejtori të ndryshme.

Pozicionet që kërkohen ndahen në dy nivele: niveli i mesëm drejtues dhe niveli i ulët drejtues. Tek niveli i parë bëjnë pjesë vendet e lira të punës në Kryeministri dhe ministri, ndërsa tek niveli i ulët futen pozicionet vakante në institucione të tjera, si: Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Agjencia Kombëtare e Diasporës, Drejtoria e Mbikëqyrjes së Produkteve, etj. Më konkretisht, në Kryeministri kërkohen: koordinator pranë Sekretarit të Përgjithshëm dhe koordinator në Njësinë e Transparencës dhe Antikorrupsionit, në Departamentin e Burimeve, Transparencës dhe Administrimit.

Më tej renditen vendet vakante në Ministrinë e Arsimit, ku kërkohet drejtor i Drejtorisë së Konceptimit dhe Fizibilitetit të Projekteve të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Midis ministrive të tjera që mund të pranojnë punonjës të rinj është edhe Ministria e Brendshme. Në këtë ministri kërkohen: drejtor i Drejtorisë së Integrimit, Koordinimit, Marrëveshjes dhe Asistencës si edhe Drejtor i Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive të Rendit dhe Sigurisë Publike.

Ndërkaq, vende vakante ka edhe tek Ministria e Bujqësisë për drejtor të Drejtorisë së Integrimit, Koordinimit, Marrëveshjeve dhe Asistencës, etj. Po ashtu, pjesë e listës është edhe Ministria e Financave, ku ofrohet punë për drejtor të Drejtorisë së Pagesave dhe Dëmshpërblimeve. Ministri të tjera që ofrojnë punë, kryesisht në pozicionin e drejtorit, janë edhe Ministria e Mjedisit, e Shëndetësisë, e Drejtësisë dhe e Kulturës.

Deklaratat e Ramës

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, kryeministri Edi Rama pati kryefjalë të fjalimeve të tij reformën në administratën publike. Pasi mori mandatin e dytë qeverisës, menjëherë u vunë re edhe lëvizjet e para, ku shumë militantë, kryesisht të LSI, u larguan nga puna. Madje shumë shpesh ai ka artikuluar se tashmë grabitqarët dhe parazitët do të jenë jashtë administratës dhe se vendi i punës do të fitohet në bazë të meritës.

“Është shumë e rëndësishme që këta të rinj bëhen pjesë e administratës për meritat e tyre dhe jo për miqësitë, apo lidhjet partiake, duke krijuar kështu një standard të ri të administratës publike. Pjesa më pozitive nga pikëpamja morale për administratën, por dhe për ata që futen në Shërbimin Civil, është që në momentin kur e fiton vetë dhe je aty me meritë, është komplet tjetër, në raport me punën, me institucionin, me eprorët, sesa kur je aty si pasojë e një ndërhyrjeje që sot është dhe nesër s’është, e një fuqie që sot e ke e nesër s’e ke, apo e një mbështetjeje që sot ta dhanë e nesër s’ta japin.

Këto fenomene janë eliminuar, por kur vjen puna te Shërbimi Civil, te procedurat e administratës publike, efekti mik, efekti parti, para, është minimizuar shumë”, tha Edi Rama pak kohë më parë./SOT

Aktualitet Administrata Publike pozicionet e punës punësimet e reja