Rama tallet me shqiptarët, “dorovit” oligarkët me miliona euro koncesione, u kërkon fond “sevapi” për të varfërit - Aktualitet
Aktualitet 3 Tetor 2019, 21:16

Rama tallet me shqiptarët, “dorovit” oligarkët me miliona euro koncesione, u kërkon fond “sevapi” për të varfërit

Shkruar nga Pamfleti
Rama tallet me shqiptarët, “dorovit” oligarkët me miliona

Rama tallet me shqiptarët, “dorovit” oligarkët me miliona euro koncesione, u kërkon fond “sevapi” për të varfërit

Kryeministri nuk njeh limite në maskarallëkun e tij, u “lutet” bizneseve afër tij që të kontribuojnë për të varfërit. Rama s’ka pse lutet, me 5 milionë eurot e Unazës, 100 milionë eurot e rrugës Milot-Balldren, milionat e koncesionit të Rrugës së Arbrit, të Orikum-Llogara dhe koncesione të tjera që ua ka dhënë këtyre oligarkëve “qyl”, që kursehen vetëm nga tenderimi përmes konkurrencës, mund të krijojë një fond shtetëror mbi 500 milionë euro

Maskarallëku i Edi Ramës nuk njeh kufij, teksa tallet hapur me shqiptarët dhe varfërinë e tyre, duke prezantuar spektakle fallco me oligarkët klientë të tij.

Kryeministri socialist u ka dhënë miliona euro miqve të tij biznesmenë, përmes koncesioneve me PPP-të e famshme, ndërkohë që në mbrëmjen e së enjtes i ka mbledhur duke u kërkuar krijimin e një fondi “sevapi” për të varfërisht e shumtë në Shqipëri.

Kjo është një tallje e hapur me shqiptarët, pasi nëse Rama do ta kishte vërtet seriozisht për t’i ndihmuar të varfërit s’kishte pse u lutej oligarkëve për të mbledhur fonde, por ta krijonte vetë këtë fond.

Ta fillonte me 6 milionë eurot e lotit të parë të Unazës së Re që u kursye thjeshtë dhe vetëm me anulimin e tenderit dhe bërjen e garës me konkurrencë që solli një ulje drastike nga 18 milionë në 12 milionë euro të investimit total.

Madje nëse kërkonte ta zgjeronte këtë fond ndihme për të varfërit të fuste dhe 100 milionë eurot që mund të zbriten për koncesionin e rrugës Milot- Balldren, nëse do të kishte garë dhe nëse i referohen studimit të Ministrisë së Infrastrukturës, për koston reale të kësaj rruge.

Të njejtën gjë mund të bënte dhe me kursimet nga koncesioni i Rrugës së Arbrit, apo koncesionet e rrugës Orikum-Llogara, të interkoneksionit Burrel-Peshkopi dhe koncesione të tjera të dhëna përmes PPP-ve të famshme, dhe të na kursente talljen ditën për diell.

Pa asnjë lutje për oligarkët, Rama do të krijonte një fond që do ta kalonte 500 milionë eurot për të varfërit pa prekur arkën e shtetit, por thjeshtë dhe vetëm duke ulur pak përfitimin 200 përqind të biznesmenëve të “oborrit” kryeministror nga koncesionet me PPP.

Për t’u rikthyer tek spektakli i dhimbshëm i mbrëmjes së të enjtes dhe për të parë se deri ku arrin pervesiteti i Ramës, po pasqyrojmë anën zyrtare të takimit të tij me sipërmarrësit e mëdhenj të Shqipërisë, të cilëve u ka kërkuar të bëhen pjesë e një mekanizimi për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të varfër të Shqipërisë.

Duke pranuar se figura e biznesmenëve është goditur nga të pavërtetat, Rama foli për e rrezikun e egërsisë shoqërore ndaj atyre që fitojnë më shumë. “Duke parë edhe nevojën që ka shoqëria për të kuptuar më mirë dhe për të prekur më nga afër vlerën që ju mishëroni për këtë komunitet, sikundër për të lehtësuar gjithë këtë barrë të madhe dhe të padrejtë mbi figurën e sipërmarrësit të suksesshëm, mbi emrat e shumë kujt prej jush këtu që përgojohen si të ishin persona në kërkim, të hapim së bashku një faqe tjetër duke vënë në dispozicion të atyre që janë më të varfër, një mekanizëm të dakordësuar bashkërisht.

Për të kaluar nga vullnetarizmi spontan, i cili shpesh herë funksionon fshehurazi, sepse ekspozimi kthehet në rëndesë si pasojë e klimës së krijuar kundër jush.

Në këtë mënyrë të bëjmë të mundur një afrim natyral. Nuk e ekzagjeroj besoj se ndjesia ndaj biznesit të madh, ndaj atyre që bëjnë më shumë dhe fitojnë më shumë rrezikon të kthehet në egëri shoqërore për të gjitha motivet e gabuara.

Nuk e ekzagjeroj të them që do të më duket e pamundur që secili nga ju të mos ishte i gatshëm për të mos bërë të funksionojë një mekanizëm vullnetarisht të miratuar së bashku”, tha Rama.

“Shqipëria solidare” do të quhet ky fond, për të cilin Rama tha se nuk duhet të shikohet si taksë shtesë ndaj biznesmenëve.

Idenë e krijimit të një fondi të “Shqipërisë solidare” për të adresuar bashkë me ju nevoja dhe halle në drejtim të atyre që janë më në nevojë dhe më në hall.

Ideja bazë e këtij fondi nuk është një taksë plus që shkon në buxhetin e shtetit, por një mekanizëm i strukturuar bashkëpunimi midis qeverisë dhe biznesit të madh, apo më saktë midis qeverisë dhe sipërmarrësve të mëdhenj”, tha Rama.

Rama ka folur edhe për mënyrën se si do të funksionojë ky fond: “Secilit prej jush t’i bjerë një barrë e barabartë, e cila mund të jetë 2% mbi dividentin, jo të kompanisë, por dividentit tuaj. Mekanizimi nuk do të kontrollohet nga qeveria, por nga ju.

Qeveria do të sjellë pranë jush nevojat dhe bashkë me ju, si pjesëtare e një bordi që duhet diskutuar se si do të zgjidhet nga ju dhe si do të bëjë të gjithë procesin, të përcaktojë se cilat janë ato halle dhe ato nevoja të menjëhershme që duhen kthyer në projekt dhe duhen realizuar në terrenin e jetës së përditshme”.

I involvuam këto deklarime zyrtare për të parë qartë dhe saktë se si Edi Rama, pasi i “dorovit” oligarkët klientë të tij me miliona euro, shifra të fryra për koncesionet pa konkurrencë të punëve në Shqipëri që garantojnë një fitim 200 përqind, u kërkon të fusin në fondin e solidaritetit për të varfërit një shumë që mund të arrijë deri në 2 përqind të fitimit./Pamfleti/

Kryesore “dorovit” oligarkët me miliona euro koncesione Rama tallet me shqiptarët u kërkon fond “sevapi” për të varfërit