Lista që na përsërit ambasadori Lu dhe rasti Kokëdhima - Aktualitet
Aktualitet 7 Maj 2018, 20:18

Lista që na përsërit ambasadori Lu dhe rasti Kokëdhima

Shkruar nga Pamfleti
Lista që na përsërit ambasadori Lu dhe rasti Kokëdhima

Lista që na përsërit ambasadori Lu dhe rasti Kokëdhima

Shkruan Mero Baze

Koço Kokëdhima i është përgjigjur me një fletërrufe publike ambasadorit të SHBA në Tiranë, për shkak të asaj që ai e ka përmendur në një listë politikanësh të spastruar prej parlamentit gjatë mandatit që shkoi.

Koço Kokëdhima është larguar nga parlamenti dhe PS, për konflikt të pastër interesi me postin e deputetit, një akuzë kjo, shumë e vogël në raport me problemet që ai mbarte në PS dhe politikën shqiptare, por e mjaftueshme, si në rastin e Al Capones, për t’u ndëshkuar.

E gjithë kjo nuk vlen për të lexuar Kokëdhimën çfarë thotë, por për të kuptuar se shumë nga arritjet politike kundër deputetëve problematikë në Kuvend, janë të rrezikuara nga fakti që opozita i ka mbështetur ato si luftë klanesh, dhe jo si parime, siç i ka shitur kur e ka nisur.

Rasti Kokëdhima është më i pastërti.

Beteja kundër Kokëdhimës nisi nga shtypi, ku gazeta “TemA” pati një rol kryesor. Ajo u mbështet nga Partia Demokratike në Kuvend, derisa çështja shkoi në Gjykatë Kushtetuese.

Pastaj në Gjykatë Kushtetuese rol kryesor ka luajtur lidershipi i LSI, derisa Kokëdhima e humbi mandatin.

Kjo është historia reale e ikje së tij. Partia Socialiste  kishte një mllef të madh ndaj Kokëdhimës, për arsye të tjera brenda saj, për shkak të ndikimit që ai kishte mbi Edi Ramën dhe tentimin për ta ç’idelogjizuar PS-në dhe për ta kthyer në një grup burokratësh të bindur ndaj biznesit. Por politikisht, PS e mbrojti atë.

Në momentin që Kokëdhima u largua dhe humbi mandatin e deputetit, Partia Demokratike dhe LSI e shpallën atë aleat, biles e ftuan dhe në tryezat politike të opozitës.

Kjo nuk është ndonjë mëkat, pasi Kokëdhima nuk ka bërë më shumë gjëma se Berisha, por është tregues se sa joparimore janë shpesh betejat politike në Shqipëri, dhe sa të përkohshme mund të jenë fitoret e dekriminalizimit në Kuvend.

Për këtë, është shumë domethënëse që ambasadori Lu i reciton vazhdimisht emrat e spastruar nga Kuvendi, për të dëshmuar që nuk duhet të rikthehemi tek ricikilimi i tyre.

Përpjekja për t’i ricikluar këta emra dhe për t’i riangazhuar në politikë në forma të tjera, apo aleanca të tjera politike, e zeron në fakt betejën politike dhe ligjore kundër tyre dhe i humbet kuptimin gjithë këtij procesi.

Forum Donald Lu Lista Mero Baze Rasti Kokëdhima