Skandali McGonigal/ Si kërcënonte skuadra e Ramës biznesmenët dhe njerëzit e Drejtësisë me kartën e FBI-së - Aktualitet
Aktualitet30 Janar 2023, 14:03

 Skandali McGonigal/ Si kërcënonte skuadra e Ramës biznesmenët dhe njerëzit e Drejtësisë me kartën e FBI-së

Shkruar nga Pamfleti
 Skandali McGonigal/ Si kërcënonte skuadra e Ramës

 Skandali McGonigal/ Si kërcënonte skuadra e Ramës biznesmenët dhe njerëzit e Drejtësisë me kartën e FBI-së

Nën kërcënimin e shpalljes “non grata” kanë vjelë me qindra gjoba në komunitetin e biznesit dhe drejtësisë shqiptare

Nuk kanë fund detajet skandaloze që kanë dalë nga dosja e hapur e ish shefit të kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal. E prekur në aktakuzë përciptazi ose e përmendur vetëm si një detaj i vogël, ajo që është zbuluar nga agjentët amerikanë, tashmë në Shqipëri përflitet me zë të lartë. Dhe këtu nuk e kemi fjalën vetëm me marrëdhënien e dyshimtë të Edi Ramës dhe njerëzve të tij me ish shefin e FBI-së apo për paratë e paguara nën dorë nga regjimi i Tiranës për të goditur opozitën dhe për të hapur sipas dëshirave të Kryeministrit hetimin e parave ruse që Lulzim Basha pagoi për lobistin Nik Muzin. Nuk bëhet fjalë as vetëm për përfshirjen e Ramës dhe njerëzve të tij në takime të dyshimta, brenda dhe jashtë Tiranës, apo për përfituesit, gjithashtu të dyshimtë, të licencave për kërkimin e naftës në Shqipëri.

Ajo çfarë tregohet, përveç këtyre, është sjellja tipike e një grupi të strukturuar kriminal që ka kapur jo vetëm shtetin, por çdo qelizë të këtij vendi.

E pra, ajo që nën zë është provuar dhe pranuar shumë herë nga emra konkretë, është që Edi Rama dhe shpura e tij, me kartën e agjentit të FBI-së kanë kërcënuar me dhjetra biznesmenë dhe emra të njohur të sistemit të drejtësisë, prokurorë dhe gjyqtarë shqiptarë. Duke iu bërë presion se, nëse nuk paguanin shuma të majme parash, ata do të shpalleshin “non grata”, banda e qeverisë ka përfituar me qindra mijë euro gjoba.

Për t’ua shpjeguar me qarte, siç edhe viktimat e këtij shantazhi kriminal kanë treguar, skema ka qenë e tillë: Pasi janë ekspozuar publikisht me ish shefin e kundërzbulimit te FBI, Charles McGonigal, pasi e kanë shëtitur dhe ekspozuar nëpër Shqipëri dhe baret që sëra e tyre frekuenton, njerëzit e Ramës kanë filluar aksionin. Ata janë takuar ‘kokë më kokë’ me emra të njohur të biznesit, prokurorë e gjyqtarë dhe u kanë treguar se gjoja McGonigal ndodhet në Tiranë për ta dhe se shteti amerikan ka hapur dosjet dhe është gati ti shpallë “non grata”.

Si njerëz të Kryeministrit ata kanë hyrë garant se mund ta provonin ti ndryshonin mendjen “amerikanit të rëndësishëm të FBI-së” për të përpunuar dosjet e për t’i mbyllur si çështje, por për këtë duhej edhe një “dhuratë e vogël në këmbim”.

Rrota duhej lyer, përndryshe fundi do të ishte shumë i keq.

“Dhuratat” nënkuptonin qindra mijë euro për të mbyllur çështje që në fakt nuk kanë ekzistuar kurrë, por që piranjat e pushtetit i kanë përdorur për të vjelur gjoba ndër emra të mëdhenj të biznesit dhe drejtësisë së korruptuar shqiptare.

Siç kanë dëshmuar, viktimat kanë qenë të shumta. Pothuaj të gjithë biznesmenët, prokurorët dhe gjyqtarët, në derën e të cilëve kanë trokitur njerëzit e Ramës për të vjelë “gjobën McGonigal” kanë rënë pre e presionit.

Argumenti i përdorur se SHBA po investigon, se shefi i FBI-së ndodhet në Tiranë dhe se je nën shënjestër për “non grata”, ka funksionuar.

Të trembur, biznesmenët kanë rënë në ketë kurth dhe shumat që banda e Edi Ramës ka mbledhur këto kohë është tepër e lartë.

Për këtë flitet edhe në aktakuzën e ngritur kundër Charls McGonigal, por natyrisht ky nuk është argumenti kryesor i kësaj dosje. McGonigal duhet dhe do t’i japë llogari shtetit dhe qeverisë së tij. Ndërsa ky i yni duhet t’i japë llogari shqiptarëve.

Me këtë akt të fundit të zbuluar, vërtetohet katërcipërisht që Shqipëria drejtohet nga një grup i strukturuar kriminal. Biznesmenët, prokurorët dhe gjyqtarët, viktima të kësaj bande ende nuk kanë dalë publikisht të dëshmojnë atë që ka ndodhur dhe është e kuptueshme. Përballë një mafie të tillë, ata kanë frikë. Por nëse dosja merret në dorë nga drejtësia e nëse kërkohet bashkëpunimi i amerikanëve, mbi ngjarjen do të hidhet dritë.

Këta banditë duhet të përgjigjen para drejtësisë. Skandali ka plasur dhe Edi Rama nuk e përgënjeshtron dot, sado që është munduar. Ka mbetur vetëm që në Shqipëri të bëhen hetimet që na takojnë në lidhje me këtë dosje që ka trazuar deri edhe politikën amerikane.

Kësaj here drejtësia duhet të funksionojë!/Pamfleti

Kryesore # me kartën e FBI-së #njerëzit e Drejtësisë #Si kërcënonte skuadra e Ramës biznesmenët #Skandali “McGonigal”