Ulen ndjeshëm temperaturat në gjithë vendin, nisin reshjet e borës në Kukës - Aktualitet
Aktualitet 4 Shkurt 2023, 17:22

Ulen ndjeshëm temperaturat në gjithë vendin, nisin reshjet e borës në Kukës

Shkruar nga Pamfleti

Në qytetin e Kukësit kanë nisur reshjet e para të borës. Flokët e dëborës janë pikasur fillimisht në zonat e thella malore si Novosej, Shishtaveci, Borje e Topojani. Më pas reshjet në mesditën e të shtunës kanë përfshirë edhe qytetin e Kukësit. Ndërkohë temperaturat janë ulur ndjeshëm.

Është ende herët të flitet për problematika, por në orët në vijim pritet që moti të përkeqësohet.

Moti i ftohtë me temperatura 3-4°C nën zero ka mbërthyer prej gati 10 ditësh të gjithë rajonin e Ballkanit, por të shtunën pasdite, një tjetër valë akoma më e acartë, zbret nga Siberia drejt gadishullit të Ballkanit. Kjo masë ajrore e ftohtë dhe e thatë do të mbërthejë edhe Shqipërinë duke sjellë një rënie të menjëhershme me 5-6°C në temperaturat e ajrit si edhe ngrica në mbi 80% të territorit shqiptar.

Rënia e temperaturave do të ndjehet fillimisht në veri dhe verilindje ku termometri në zonat Tropojë, Malësi e Madhe, Has, Pukë, Peshkopi dhe Bulqizë do të zbresë në vlerat nga -4 në -10°C, ndërkohë që edhe mesdita në këto zona do të qëndrojë disa gradë nën zero.

Kjo valë e acartë, por e thatë do të sjellë vranësira dhe reshje afatshkurtra gjatë së shtunës; reshje të pakta shiu në zonat e ulëta dhe bregdetare ndërsa dëbora zbret në 200 m lartësi nga niveli i detit. Reshje më të pakta dhe të izoluara sjell dita e diel; orët e para të saj rrezikojnë nga reshje të pakta dëbore të gjithë territorin, kryesisht skajet veri-jug.

Aktualitet #Ulen ndjeshëm temperaturat në gjithë vendin