Vetëpunësimi, në Shqipëri 63% se nuk ka alternativë tjetër, në BE si mundësi e përshtatshme - Ekonomi
Ekonomi12 Dhjetor 2018, 11:07

Vetëpunësimi, në Shqipëri 63% se nuk ka alternativë tjetër, në BE si mundësi e përshtatshme

Shkruar nga Pamfleti
Vetëpunësimi, në Shqipëri 63% se nuk ka alternativë

Vetëpunësimi, në Shqipëri 63% se nuk ka alternativë tjetër, në BE si mundësi e përshtatshme

Të vetëpunësuarit në Shqipëri kanë një peshë të konsiderueshme në punësim. Në 2017-n, numri i të punësuarve në ndërmarrjet me 1-4 të punësuar ishte mbi 149 mijë, apo rreth 30.4% e totalit të të punësuarve në vend.

Në përgjithësi, të punësuarit në ndërmarrjet e vogla janë të vetëpunësuar ose familjarë. Mesatarisht një ndërmarrje e vogël në vend ka 1.5 të punësuar.

Norma e të vetëpunësuarve në Shqipëri është ndër më të lartat në Europë. Shqipëria renditet e dyta në Europë, pas Greqisë, për nga pesha e lartë e të vetëpunësuarve në raport me totalin e të punësuarve në ekonomi, me 31% të totalit. Përqindja ndryshon në mënyrë të konsiderueshme në të gjitha vendet – nga 7% në Norvegji dhe 31% në Greqi, sipas të dhënave nga Eurostat.

Në Bashkimin Europian, pesha e të vetëpunësuarve në totalin e të punësuarve është 14%. Së fundmi Eurostat ka publikuar arsyet e vetëpunësimit. 23% e të anketuarve kanë deklaruar se e kanë parë vetëpunësimin si një mundësi e përshtatshme, 16% e të anketuarve thanë se vazhduan biznesin e familjes, 11% për shkak të orarit të përshtatshëm, 11% se nuk patën alternativë tjetër.

Të dhënat e Eurostat janë nxjerrë nga Anketa Europiane Forcës së Punës.

Ajo çka është interesante nga rezultatet e Anketës është se në vendet e Europës Juglindore, siç është dhe Shqipëria, mbizotëron arsyeja e mungesës së alternativës në punësim. Gati 40% e të vetëpunësuarve në Rumani deklaruan se vendosën që të vetëpunësohesh për shkak se nuk gjetën punë tjetër si të vetëpunësuar.

Përqindja e lartë e të vetëpunësuarve në një ekonomi është tregues i një ekonomie pak konkurruese, ku mungesa e alternativave për punësim është e pakët. Kjo është erdhe arsyeja kryesore që përqindja e vetëpunësimit në Shqipëri është ndër më të lartat. Sipas një studimi nga Bashkimi Europian për punësimin dhe perspektivat e tij në Europë u gjet se 63% e të anketuarve kanë deklaruar se e bëjnë këtë zgjedhje, pasi nuk kanë alternativë tjetër. Kjo është përqindja më e lartë në të gjithë Europën, teksa pas nesh është Serbia, me 53% të totalit. Nivel të lartë të vetëpunësimit “nga halli” kanë dhe shtetet e tjera të rajonit, si Mali i Zi e Maqedonia.

Si krahasohet Shqipëria me rajonin

Në rajon pas Shqipërisë renditet Kosova, ku norma e vetëpunësimit ndaj totalit të të vetëpunësuarve sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2017 përllogaritet 23.5%.

Në vend të tretë për normë të lartë vetëpunësimi renditet Serbia, ku përqindja e të vetëpunësuarve llogaritet të jetë 21.4%, sipas Zyrës Statistikore të Republikës së Serbisë. Gjysma e të vetëpunësuarve në Serbi janë në sektorin e bujqësisë.

Mali i Zi e ndjek me një diferencë të vogël për sa i përket vetëpunësimit, i cili llogarit se 19.1% e të punësuarve janë të vetëpunësuar, sipas Zyrës Statistikore të Malit të Zi.

Maqedonia dhe Bosnja kanë një normë më të ulët të vetëpunësimit me përkatësisht 12.8% dhe 12.7%, sipas statistikave zyrtare.

Shqipërisë i mungojnë ndërmarrjet e mëdha. Vetëm 41 kompani kishin më shumë se 500 punonjës, sipas renditjes së 100 punëdhënësve më të mëdhenj, të publikuar me Tatimet. Ndërsa rreth 100 kompani kanë më shumë se 250 punonjës, (në Shqipëri ka rreth 108 mijë ndërmarrje aktive në fund)./Monitor

 

Ekonomi Shqiptaret të vetëpunësuarit