Aktualitet18 Shtator 2018, 11:16

Takim i nivelit të lartë të “Iniciativës-së-Tri-Deteve”

Shkruar nga Pamfleti
Takim i nivelit të lartë të

Takim i nivelit të lartë të "Iniciativës-së-Tri-Deteve"

Në Bukuresht zhvillohet takimi i tretë i nivelit të lartë të së ashtuquajturës Iniciativë-e-Tri-Deteve. Forumi bashkon dymbëdhjetë shtete të Evropës Qendrore dhe evropianolindore nga Baltiku në Adriatik e në Detin e Zi.

Iniciativa e tri deteve u themelua dy vjet të shkuara me përpjekjet e Kroacisë dhe të Polonisë. Që në kohën midis dy luftërave botërore Polonia qe përpjekur që me një projekt të ngjashëm (Intermarium) ta bëjë të ndihet ndikimin e saj në rajon.

Pjesëmarrës janë shtetet baltike (Estonia, Letonia, Lituania), shtetet e grupit të Vishegradit (Polonia, Sllovakia, Çekia, Hungaria) e Austria, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria dhe Rumania. Me përjashtimin e Austrisë, të gjithë pjesëmarrësit e tjerë janë anëtarësuar vetëm pas 2004-ës në BE. Në takimin e parë të nivelit të lartë në vitin 2016, në Dubrovnik të Kroacisë, shtetet pjesëmarrëse ranë dakord për një bashkëpunim të ngushtë në sektorët e industrisë energjetike dhe të infrastrukturës. Kështu, superstrada e planifikuar prej kohësh “Via Carpatia” nga shtetet baltike për në Selanik në Egje më në fund do të përfundojë.

Një projekt tjetër qendror: ngritja e dy terminaleve për gaz të lëngshëm në Świnoujście të Polonisë dhe në Ishullik Krk në Kroaci, për importin e gazit të lëngshëm amerikan në rrugë detare. Shtetet e Evropës Lindore-Qendrore kanë frikë për një varësi në rritje nga Rusia të furnizimit të Evropës me gaz, pas ndërtimit të gazsjellësit Nordstream2 nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik, duke anashkaluar Ukrainën dhe Poloninë.

Një impuls politik iniciativa mori në vitin 2017, me pjesëmarrjen e Presidentit të SHBA Donald Trump në takimin e nivelit të lartë të Varshavës. Tani, në takimin e nivelit të lartë në Bukuresht, përfaqësuesit e lartë të dymbëdhjetë shteteve anëtare do të diskutojnë me BE dhe në veçanti me Gjermaninë për një bashkëpunim. Si të ftuar të jashtëzakonshëm marrin pjesë në takim Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas. Para së gjithash në pjesën perëndimore të BE, boshti veri-jug në lindje të BE është kritikuar shpesh si kundërpeshë për “bërthamën e Evropës”. Ka disa kohë që diskutohet intensivisht për një pjesëmarrje të Gjermanisë në iniciativë – si partnere ose anëtare me të drejta të plota.

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis tha në prag të takimit se Iniciativa-e-Tri-Deteve duhet të konfirmojë tani, se është në gjendje që ta pakësojë prapambetjen e ndjeshme ndaj Evropës Perëndimore dhe të kontribuojë si instrument aktiv për konsolidimin e marrëdhënieve translantike. Shtetet anëtarë kanë theksuar disa herë se iniciativa e tyre në asnjë mënyrë nuk është e barabartë me ngritjen e një korridori sigurie në drejtim të Rusisë. Prandaj ekziston dëshira që të informohet rregullisht edhe Moska, për projektet e planifikuara.

Krahas vlerësimit të përpjekjeve nga Brukseli, shtetet anëtare synojnë edhe mbështetje të mëtejshme nga SHBA. Në takimin e nivelit të lartë të Bukureshtit merr pjesë edhe ministri amerikan i Energjisë, Rick Perry.

E re është në takimin e nivelit të lartë që paralelisht me të zhvillohet edhe një forum ndërkombëtar ekonomik, në të cilin marrin pjesë edhe përfaqësues nga shtete të Ballkanit Perëndimor si dhe të partneritetit BE-Lindje (Moldavi, Gjeorgji, Ukrainë). Edhe përfaqësues kryesorë të disa instituteve financiare si EBRD, Banka Botërore dhe Banka Evropiane e Investimeve janë të pranishëm./DW

Forum ''Iniciativa e Tri Deteve'' Evropa Qendrore dhe evropianolindore