Bota 7 Shtator 2022, 15:47

Takimi me Erdogan, Vuçiç e konfirmon "ambicien" për të shtënë “në dorë” dronët Bayraktar

Shkruar nga Pamfleti
Takimi me Erdogan, Vuçiç e konfirmon "ambicien" për

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka shprehur dëshirën e qeverisë serbe për të blerë dronët Bayraktar nga Turqia.

Gjatë takimit me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, në Beograd, udhëheqësi serb u shpreh se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Turqisë janë ngritur në nivelin më të lartë, sidomos “në historinë moderne të vendeve tona”.

“Nuk më vjen turp të them se duam të blejmë drona Bayraktar, por e gjithë bota i do, kështu që ne qëndruam në radhë. Jemi në pritje dhe shpresoj që vitin e ardhshëm do ta realizojmë. Jemi gati të paguajmë shumë më shumë para se disa dhjetëra miliona të rënë dakord fillimisht”- tha Vuçiç, duke shtuar se: “Ne jemi gati të kalojmë në numrin disa qindra milionësh që do të jepnim për Bayraktarët.”

Vlen të theksohet se, në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit dypalësh, Erdogan shprehu gatishmërinë për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi. Ai mbështeti arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve për letërnjoftimet, si dhe u dëshiroi palëve që të ecnin në të njëjtën rrugë edhe për targat.

Baykar, prodhuesi i dronit Bayraktar TB2, drejtohet nga dy vëllezër – shefi ekzekutiv Haluk Bayraktar dhe vëllai i tij Selçuk, shef i teknologjisë. Dronët Bayraktar janë përdorur gjerësisht nga Ukraina në konfliktin e saj aktual me Rusinë.

Bota