
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit të tij me të dërguarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak ka biseduar për dialogun Kosovë-Serbi.
Kurti tha se ka diskutuar me Lajçak, për shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, duke theksuar se përmirësim dhe sheh aspekte pozitive në këtë fushë, por ende nuk ka hapa konkret.
“Ai na tregoi neve edhe për takimet që i ka pasur dhe në këto takime ka përmirësim të atmosferës për Kosovën në raport me atë që është e nevojshme për neve, pra njohja, mirëpo nuk ka hapa konkret dhe unë besoj që duhet angazhim shumë më i madh që të kemi hapa konkret. Pesë shtetet që nuk e njohin ende Kosovën nëpërmjet njohjes së tyre do të na e hapnin plotësisht rrugën për integrim në NATO dhe në Bashkim Evropian dhe kjo është tejet e rëndësishme për neve, natyrisht që po të kishim ne mundësinë për ulëse në OKB gjithçka do të ishte më kollaj por duke pasur parasysh se në Këshillin e Sigurimit të OBK-së e kemi Federatën Ruse dhe Kinën, ajo minimumi çka qytetarët e Republikës së Kosovës presin është që pesë shtetet demokratike evropiane t’i bashkohen shumicës së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës”, tha Kurti.
Ndërkaq Lajçak, është shprehur se gjatë takimit me Albin Kurti dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi, u dakorduan për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.