Politike 7 Tetor 2022, 12:56

Takimi me Yuri Kim, deputetja e PD: Ambasadorja është e shqetësuar për amnistinë fiskale dhe pastrimin e parave!

Shkruar nga Pamfleti
Takimi me Yuri Kim, deputetja e PD: Ambasadorja është e

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim u takua sot me kreun e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Eduard Shalsi dhe nënkryetaren Sorina Koti në Kryesinë e Kuvendit. Pas takimit me ambasadoren, deputetja Sorina Koti është shprehur se diplomatja e lartë amerikane ka shprehur shqetësim për nismën e qeverisë, amnistinë fiskale.

“Ambasadorja shprehu shqetësimin e saj për amnistinë fiskale se pastrimi i parave është një nga problematikat më të mëdha në Shqipëri dhe ne cilësuam si një nga pikat kryesore që do cenonte sistemin bankar. Kemi gjithashtu korrupsionin e lartë, tenderët publikë, incineratorët”, u shpreh Koti për mediat.

E pyetur nga gazetarët, deputetja demokrate tregoi se gjatë takimit nuk është diskutuar për Sali Berishën dhe as është prekur fare çështja e tij.

“U diskutua për investimet amerikane në Shqipëri dhe nevojës për më shumë investime, për një lloj stabiliteti ekonomik, të drejtësisë dhe rendit. U fokusuam më tepër tek varfëria, ndihma sociale dhe situata ekonomike e agravuar nga qeverisja. Tek mungesa e besimit nga Gjykatat në Shqipëri”, vijoi ajo.

Më tej, Sorina Koti tha se nga ana e saj i ka bërë të qartë ambasadores Yuri Kim, se Partia Demokratike ka gati një vit që është në terren, sipas saj, për problemet që lidhen me rënien ekonomike të vendit.

Koti u shpreh se shqiptarët kanë nevojë për bashkëpunim me ndërkombëtarët, ndërsa shtoi se nëse ka dëshirë reformat mund të çohet para dhe ne të jemi në rrugën e duhur.

“Ambasadorja theksoi që reformat duhet të jenë akoma dhe më të thella, më agresive dhe personat që duhet të shkojnë në burg, një ditë do të shkojnë në burg. Ajo që cilësova është që qeveria mban peshën më të madhe në këtë gjë, se ata qeverisin. Opozita është denoncuese, është në terren, me qytetarët por nuk mund të mbajë kurrë përgjegjësi pse nuk funksionon shteti i së drejtës, apo institucionet publike. Kjo ishte ajo që unë raportova te ambasada amerikane. Por mbi të gjitha është bashkëpunimi me ndërkombëtarët, sepse shqiptarët duan shpresë, dhe shpresoj që nëse do të ketë dëshirë dhe nëse politikanët do jenë të ndershëm ashtu siç e kërkojnë të gjithë votuesit dhe ne që përfaqësojmë ata, do të jemi në rrugën e duhur.”- u shpreh Koti.

 

Politike amnistia fiskale Yuri Kim