Bota14 Janar 2023, 22:10

Talibanët refuzojnë kërkesën e OKB-së për të drejtat e grave

Shkruar nga Pamfleti
Talibanët refuzojnë kërkesën e OKB-së për të

Duke iu përgjigjur kërkesës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për heqje të kufizimeve ndaj të drejtave të grave në Afganistan, Qeveria e talibanëve ka thënë se nuk do të lejojë akte që shkelin Ligjin e Sheriatit.

“Emirati Islamik tenton të rregullojë të gjitha çështjet që lidhen me Ligjin e Sheriatit”, ka thënë zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid përmes një deklarate.

“Duke marrë parasysh përgjegjësinë që ka ndaj popullit dhe fesë, Emirati Islamik nuk mund të lejojë akte kundër Sheriatit brenda shtetit”.

Zëdhënësi i talibanëve u ka bërë thirrje shteteve dhe organizatave ndërkombëtare që të kuptojnë kërkesat fetare në shoqërinë tradicionale të Afganistanit dhe të mos i lidhin ato me ndihmën humanitare dhe çështjet politike.

Të premten, 11 shtete u kanë bërë thirrje talibanëve “që menjëherë të kthejnë mbrapsht masat shtypëse kundër grave dhe vajzave” në Afganistan, duke përfshirë sektorin politik, ekonomik, të edukimit dhe hapësirave publike.

Pas kthimit të talibanëve në pushtet, në gusht të vitit 2021, udhëheqësit e linjës së ashpër kanë kufizuar në masë të madhe të drejtat dhe lëvizjen e grave.

Aktualisht gratë dhe vajzat nuk mund të shkollohen pas klasës së gjashtë dhe as të shkojnë në universitet.

Shumë vende të punës tani janë të ndaluara dhe ato nuk mund të udhëtojnë vetëm në distanca të gjata. /REL

Bota talibanët