Politike23 Janar 2023, 11:49

Taulant Balla: Kemi prova të reja, do depozitojmë kallëzim në SPAK për 21 janarin

Shkruar nga Pamfleti
Taulant Balla: Kemi prova të reja, do depozitojmë kallëzim

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla

Kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla foli pas mbledhjes së grupit dhe theksoi edhe njëherë se do të depozitojnë kallëzim në SPAK për 21 janarin.

Balla tha se kanë në dorë prova të reja dhe i bëri thirrje SPAK që ta rihapë këtë çështjeje.

“Kam deklaruar se PS është subjekti që ka thirrur protestën e 21 janarit. Jemi palë e dëmtuar në atë ngjarje dhe në dritën e provave të reja, një prove që është një audio përgjim që është bërë publik. Bazuar në faktin që dosja penale për vrasjen e Aleks Nikës është një dosje që gjendet në Prokurorinë e Tiranës dhe vazhdojmë ta kërkojmë për të nxitur hetimin nga SPAK për ta hetuar. Në orët në vijim PS do ketë kallëzimin e vet.”, tha Balla.

Prej ditës së premte në disa mediat ka qarkulluar një transkriptim i një dialogu të zhvilluar më 21 janar 2011 nëpërmjet radiove, mes komandantit të Gardës të asaj kohe, Ndrea Prendi dhe disa oficerëve.

Pretendohet se bëhet fjalë për një audio-përgjim por që në fakt është një tekst pa audio.

12 vite kanë kaluar nga 21 janari, një prej ngjarjeve që ka shënjuar më së shumti historinë e të paktën këtyre 32 viteve demokraci në Shqipëri, krimi i rëndë i kur u vranë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues opozitarë nga armët e punonjësve të shtetit: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Politike #Prova të reja SPAK Taulant Balla