
Atentati i ndodhur rreth orës 16 të pasdites së të premtes ishte një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura kohët e fundit në vend dhe një nga rastet e paprecedenta përsa i përket tentativave për të eleminuar njerëz të lidhur direkt me drejtësinë, siç është dhe prokurori i plagosur Arjan Ndoja (jashtë rrezikut për jetën), i cili mendohet se ka qenë dhe shënjestra e atentatit.
Ish-drejtuesi i policisë së Tiranës, Erzen Breçani komentoi shprehjen e kryeministrit Edi Rama, i cili disa kohë më parë ka thënë për kriminelët “Të hanë kokat me njeri-tjetrin”. Breçani tha se ky është një mesazh i hapur për bandat që të luftojnë sepse askush nuk i pengon.
“Është e papranueshme një thënie e tillë e një kryeministri. Ky është një mesazh i hapur për bandat që të luftojnë se ne nuk po i pengojmë. Por kurrë nuk duhet të besojmë që një kryeministër flet kështu. Shpesh herë them që e ka thënë nga presioni, ose ka pasur një moment të keq. Është një kryeministër që të luftojë bandat, të punojë për sigurinë e vendit dhe që ti sigurojë bizneseve siguri. Nuk zhvillohet ky vend me këta kryeministra.” – u shpreh Breçani. /Pamfleti