Aktualitet28 Mars 2018, 10:31

Të kesh qenë lojtar i madh s’do të thotë të jesh trajner i madh/ Panucit i ranë “puplat”, dyshime për aftësitë e

Shkruar nga Pamfleti
Të kesh qenë lojtar i madh s’do të thotë të jesh

Të kesh qenë lojtar i madh s’do të thotë të jesh trajner i madh/ Panucit i ranë “puplat”, dyshime për aftësitë e tij si teknik

Disfata e Shqipërisë përballë Norvegjisë në “Elbasan Arena” nxori në pah disa mangësi të grupit të lojtarëve që disponon kombëtarja jonë, por njëkohësisht hodhi dyshime për cilësitë e trajnerit Kristian Panuci, i cili deri më tani kishte punuar me grupin e De Biazit, grup që e kishte gjetur të gatshëm.

Po cfarë ndodhi konkretisht që i ranë kaq shpejt “puplat” kaposhit “Panuci”? Në median sportive janë bërë kritika nga specialistët për mënyrën e lojës që zgjidhi Panuci në këtë ndeshje, pra taktikën. Është e pamundur për Shqipërinë të luajë me skemën 4-3-3 kur ka lojtarë të nivelit nën mesatar, shumica e të cilëve qëndrojnë në stol me skuadrat e tyre në Europë. Edhe të rinjtë e ftuar nuk u përshtatën me skemën e re dhe vetë trajneri, nga arrogant e kompetent që ishte para ndeshjes, ku sillej si kaposh, u step dhe u struk si “pulë e lagur”, pasi Norvegjia e nxori zbuluar në të gjithë mangësinë e tij.

Një nga lojtarët më të mirë që ka parë bota është Maradona, por “Dora e Zotit” asnjëherë nuk u bë trajner i madh. Teorikisht nuk përjashtohet mundësia që një lojtar i madh të jetë dhe trajner i madh dhe shembulli mund të jetë Zidane, pornë shumicën e rasteve më të mirët kanë dështuar të jenë trajnerë të mëdhenj. Vetë Panuci ka qenë një lojtar i shkëlqyer, shumë i madh, por po dështon si teknik dhe këtë po e vuan Shqipëria.

Zgjedhjet e tij nuk kanë logjikë sportive, pasi la jashtë Ansi Agollin, liderin dhe kapitenin e grupit, i cili luan në Champions League.  La jashtë mesfushorin organizator dhe një futbollist që po luan rregullisht me Barin në Serie B, Migjen Bashën, eksperienca e të cilit mund të ishte më frytdhënëse se sa dëshira e madhe e Ramadanit dhe e Qakës. Edhe pse ishte dita e të rinjve, lojtarë si Abazaj e ndonjë tjetër as i aktivizoi fare, ndërsa la në stol një futbollist me shumë potencial fizik dhe që mund të rivalizonte norvegjezët në mbrojtjen e tyre, Sokol Cikalleshin. Pra Panuci dështoi në planin taktik. Ai nuk mori nga skuadra kurrfarë përgjigjeje dhe këtë e pranoi edhe vetë.

Humbja me Norvegjinë dhe loja tmerrësisht e dobët, ndoshta më e dobëta ndër vite, tregojnë se Panuci nuk është ende gati për të na udhëhequr në Europianin e ardhshëm. Ishte lojtar i madh, padyshim, por kjo s’do të thotë të bëhet edhe trajner i madh. Eksperimentet e tij në Kombëtare, të cilat i propogandoi si revolicion, duket se nuk kanë lidhje me realitetin dhe nuk i japin frymëmarrje dhe vazhdimësi skuadrës.

Në qershor do të jenë dy sfida miqësore që do të provojnë jo grypin, por vetë trajnerin. Duelet e qershorit do të jenë shansi i tij i fundit dhe nëse nuk rregullon gjërat, ka gjasa të tërhiqert pa nisur etapa kualifikuese  e Europianit, apo Liga e Kombeve. /Pamfleti Sport

Kryesore