Bota12 Maj 2022, 15:53

Të paktën 20 të plagosur nga shpërthimi i fabrikës së lëndëve kimike në Slloveni

Shkruar nga Pamfleti

Të paktën 20 të plagosur nga shpërthimi i fabrikës së lëndëve kimike në Slloveni

Të paktën 20 persona kanë mbetur të plagosur nga një shpërthim zjarri në një fabrikë kimike në Slloveninë juglindore mëngjesin e kësaj të enjteje.

Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin në qytetin e Kocevjes, megjithatë autoritetet u kërkuan banorëve në afërsi të zonës, të qëndrojnë brenda banesave të tyre.

Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan tym të zi që dilte nga fabrika. Banorët vendas thanë se shpërthimi tronditi të gjithë zonën. Qyteti, i cili është rreth 55 kilometra (30 milje) në juglindje të Lubjanës, ka një popullsi prej rreth 8,000 banorësh.

Autoritetet thanë se dy persona kanë pësuar djegie të rënda dhe u transferuan menjëherë në një spital në Lubjanë për mjekim të specializuar. Dy të tjerë u zhdukën mes flakëve. Fabrika e Melaminës ka rreth 200 punonjës.

Transmetuesi rajonal i televizionit N1 tha se këshilli lokal u mblodh për një seancë urgjente ndërsa zjarrfikësit dhe ekuipazhet e emergjencës nxituan për të stabilizuar gjendjen në uzinë.

“Ne i këshillojmë të gjithë banorët në zonën përreth që të mbyllin dritaret dhe të mos dalin jashtë gjatë ndërhyrjes. Ata gjithashtu nuk duhet t’i afrohen vendit të ngjarjes“- deklaruan autoritetet, raporton Associated Press.

Agjencitë e urgjencës raportuan se zjarri u shua në mesditë. Ndërtesa e fabrika është dëmtuar rëndë. Melamina prodhon produkte kimike të tilla si rrëshira melamine për industrinë e letrës, ndërtimit, drurit, gomës dhe llakut, letër dekorative për industrinë e mobiljeve dhe materiale për prodhimin e këpucëve.

Agjencia Sllovene e Shtypit e përshkroi shpërthimin si “zjarri më i keq industrial në historinë moderne të Sllovenisë“. Gjithsej 17 zjarre industriale janë regjistruar që nga viti 1995, duke rezultuar kryesisht në dëme materiale, njoftoi agjencia.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Bota shperthimi i fabrikes se lendeve kimike Slloveni