Pas dështimit të kërkimeve brenda vendit, policia e Shtetit me kërkesë të SPAK ka vendosur shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Stela Gugallja, e cila është pronarja e kompanisë Albtek Energy si dhe Klodian Zotos, pronar i kompanisë Integrated Technology Servicesi.
Ata vijojnë të jenë në kërkim në kuadër të hetimeve për aferën abuzive të Inceneratorëve. Mbi të dyshuarit rëndojnë akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të pastrimit të parave.
Për rastin është arrestuar ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Sipas SPAK, Koka ka lejuar përfitime të padrejta nga ana e pronarëve të kontratës së koncesionit, e cila u lidh përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë pa shpallje nën justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme ndërsa Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja akuzohen se kanë kryer transaksione të rreme me paratë e marra nga buxheti i shtetit për llogari të kontratës koncesionare.