Editorial19 Gusht 2022, 13:34

Të pickoftë Anisa!

Shkruar nga Pamfleti
Të pickoftë Anisa!

Anisa Kostani, kjo vajzë seksi, por ordinere në formim, dje u dha shqiptarëve një grusht syve. Është grushti i shtetit që Anisa përfaqëson dhe askush nuk duhet të çuditet me këtë. Anisa bëri atë që të tjerët bëjnë me Anisën.

Brenda këtij viti, në Shqipërinë me vetëm 2.8 milionë banorë, kanë ndodhur 42 atentate, janë vrarë 24 persona dhe plagosur 23 të tjerë. Në Elbasanin e krimit – një nga zonat më të nxehta kriminale në Shqipëri, vërtetuar shumë herë që dirigjohet nga shtetarë të lartë – dje u vra një 33 vjeçar. Vrasësi është vetëm 18 vjeç, nip i një krimineli të njohur dhe arsyeja ishte vetëm “pse më sheh”! Duket një arsye banale, por është shumë më tepër se kaq. Është ulëritëse se si jeta ka humbur krejtësisht vlerën dhe sesi ata që shkrepin armë e ngulin thika rrugëve të Shqipërisë, as e mendojnë fare pasojën. As e mendojnë burgun e as atë që vjen pas tij.

Jo pa arsye!

Pse mos ta shkrepë armën pa iu dridhur qerpiku një kriminel, një bandit ordiner apo kushdo tjetër qoftë, kur policia – siç e gjithë administrata shtetërore – imazhin e vet, kolonën e vet më të fortë, ka sojin e Anisa Kosanit, maksimumi i arritjes në jetë të së cilës, është gjarpri që mban si kafshë shtëpiake. Deri dje publiku e njihte Anisa Kostanin vetëm për gjarprin, fotot provokuese dhe jetën luksoze që e shfaqte pa drojë në rrjetet e veta sociale. Rastësisht Anisa ishte edhe nënkomisare! Për një tekë rinore, ata që e duan dhe promovojnë sojin e Anisës, e kishin veshur edhe me uniformë policie. I kishin dhënë herë pas here të bënte edhe zëdhënësen, por edhe mundësinë për të qenë imazh i policisë së një qyteti ku të vdekurit kanë mbetur rrugëve. Sikur të mos mjaftonin këto, dje Anisa u bë edhe garipe e në tentativë për të mbrojtur imazhin e policisë që i ka dhënë uniformën, doli e mallkoi gazetarët.

Pra, policja e një qyteti ku krimi është ulur këmbëkryq, një grua që uniforma që mban veshur minimalisht duhet ta detyrojë të duket serioze dhe e pjekur, i dha vetes të drejtën e të qenit arrogante, të shante e mallkonte publikisht, të gjykonte e jepte vendim për fajtorin: gazetarët. Perlë më vete teksti i shkruar nga ajo.

Vetëm se, në fakt nuk është ky problemi. Me pak gjykim të ftohtë, kupton se Anisa nuk është fare problemi i vërtetë i kësaj historie.

Anisa Kostani, kjo vajzë seksi, por ordinere në formim, dje u dha shqiptarëve një grusht syve. Është grushti i shtetit që Anisa përfaqëson dhe askush nuk duhet të çuditet me këtë. Anisa bëri atë që të tjerët bëjnë me Anisën. Ajo thjeshtë përsëriti sjelljen që shefat e saj – pavarësisht se shefat i kanë qejf vajzat seksi – bëjnë me të. Shefat ndërkohë sillen në të njëjtën mënyrë si eprorët e tyre, e kështu zinxhiri shkon deri tek kupola.

Anisa Kostani, kjo femër që luan me veglat e veta në pozat seksi, nuk bëri asgjë tjetër veçse pati guximin e tepruar që, atë që ëndërronte, pra femrën arrogante që bën ligjin, atë modelin femëror që e sheh në televizor tek gratë që kjo qeveri i promovon e ju jep pushtet, ta imitonte. Ta shfaqte me zë e me figurë. Frustrimin e vet ajo e shfaqi hapur. Kaq bëri Anisa!

Anisa Kostani, kjo grua (fatkeqësisht) me uniformë, e apasionuar pas mjeksisë estetike si shumë simotra të tjera, dje ishte fiks në rolin në vet. Asaj propaganda ia ka zënë sytë dhe e beson seriozisht se policia e Elbasanit është më e mira dhe më e suksesshmja në botë; Ajo nuk di model tjetër sjellje: i thonë mbylle gojën, ajo e mbyll; i thonë ulu, ajo ulet; përkulu, ajo përkulet; tundu, ajo tundet. I bërtasin, Anisa hesht. Kështu bëri edhe ajo, doli e bëri gjykatësin për gazetarët sepse beson se paskësaj, gazetarët do ta mbyllin gojën. Uniforma e ka bërë Anisën të besojë së është edhe shteti, edhe pushteti, edhe gjykatësi, edhe hetuesi, edhe kamzhiku, edhe druri.

Anisa është shteti, prandaj as do gjykuar as do dënuar. Anisa do falenderuar sepse për ata që kanë dy para mend në kokë, Anisa u ka hapur sytë: lloji i Anisës na drejton, na përcakton fatin e të ardhmen, të drejtën e jetës dhe kohën e vdekjes. Kush do ta kuptojë, ka mundësinë ta bëjë.

Anisa, nuk është helmuar fare nga gjarpri që mban në shpi e var në qafë. Anisa ka reflektuar gjithçka realiteti i pushtetit përçon.

A e mbani mend konferencën e fundit të kryeministrit Edi Rama? Nëse jo po ua kujtojmë ne: përzuri nga konferenca për shtyp dhe çoi “për riedukim për 6 muaj” një gazetar që bëri pyetjen e duhur në vendin e duhur. Epo kur këtë e bën kryeministri, shefi i Anisës, eprori i shefit të Anisës e të tjerë me radhë, pse mos ta provojë edhe Anisa?! Fundja Anisa me gjarprin fle silikon kërkon dhe bereqetin e ka me bollëk. Për çfarë mund t’i hyjë në punë mendja, një tipi si Anisa…/Pamfleti

Editorial #Anisa Kostani policia

Editorial