
Dy gra kanë mbetura të plagosura këtë të shtunë në Fushë Kosovë.
Sipas mediave në Kosovë dhe njoftimit zyrtar të zëdhënëses së policisë thuhet se plagosja ka ndodhur në orën 11:45 në rrugën “Besa Besë” në Fushë Kosovë. Dyshimet paraprake janë se dy gratë janë nënë e bijë.
Ndërkohë ka pasur një reagim edhe nga Prokuroria Themelore. Sipas saj të plagosurat janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ndërkohë që po bashkëpunohet me policinë për arrestimin e autorit.
“Ju njoftojmë se me të pranuar informatën, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes me njësite e tjera relevante, ku sipas informatave fillestare mund t’iu njoftojmë se nga të shtënat me arme zjarri nga një i dyshuar, janë plagosur dy femra të cilat janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. “Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar në drejtim të veprave penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Ne koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sigurimit të prezencës së të dyshuarit në procedure penale, si dhe për t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, tha prokuroria.
Lidhur me gjendjen e tyre foli mjeku, Ejup Govori, i cili ka dhënë detaje mbi dëmtimet që kanë marrë dy gratë.
“Janë dy të plagosura me armë zjarri. Njëra është në ekstremitete të sipërme ndërsa tjetra është me lëndime në bark. Gruaja që është më në moshë, viti 59 sipas të gjitha gjasave është me lëndime më serioze, ka frakturë. Nuk janë në rrezik për jetë por kanë lëndime serioze”, është shprehur Govori.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se hetuesit policorë po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar, që sipas policisë, është identifikuar.