Aktualitet19 Gusht 2022, 09:41

· Shkupi

Shkruar nga Pamfleti
· Shkupi

Të shtunën më 20 gusht banorët e Tetovës do t`u drejtohen sërish kutive të votimit. Kësaj radhe banorët me të drejtë vote do të zgjedhin edhe njëherë anëtarët e ardhshëm të këshillit komunal në Tetovë, pas shpërbërjes së këshillit që u zgjodh në muajin tetor të vitit të kaluar, por u shpërbë për shkak të mosmiratimit të llogarisë përfundimtare në afatin e paraparë sipas ligjeve në fuqi.

Komisioni Komunal Zgjedhor, tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e 20 gushtit, ku të enjten kanë arritur materialet biometrike dhe materialet tjera, thotë Nazmi Dauti, nga Komisioni Komunal Zgjedhor.

“Komisioni Komunal Zgjedhor i ka bërë të gjitha përgatitjet për realizimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet e 20 gushtit. Të mekurën ka përfunduar afati për dorëzimin e përfaqësuesve të autorizuar të cilët do të ndjekin procesin zgjedhor. Partitë dhe listat kanë dorëzuar edhe listat me emrat e vëzhguesve për vendvotime. Të enjten pranojmë materialin e besueshëm zgjedhor. Tashmë kanë arritur edhe pajisjet biometrike të cilët do të shpërndahen nëpër vendvotime për identifikimin e votuesve, kurse gjatë ditës do të arrijnë edhe kutitë e votimit dhe materialet tjera zgjedhore si fletët e votimit dhe materialet tjera”, tha Nazmi Dauti, sekretar i Komisionit Komunal Zgjedhor.

Gjithsej, të drejtë vote kanë 84406 qytetarë të Tetovës, të cilët do të mund të votojnë në 117 vendvotime. Gjithsej 38 qytetarë kanë kërkuar që të votojnë të premten, ndërsa Komisioni Komunal Zgjedhor ka pranuar 24 kërkesa prej tyre. Të premten poashtu do të votojnë të burgosurit në burgun e Tetovës, ata që janë në arrest shtëpiak dhe në burgje tjera.

“Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të drejtë vote kanë 84 406 qytetarë, të cilët do të mund të realizojnë të drejtën e tyre të votës në 117 vendvotime.
Sa i takon personave të sëmurë, të pamundur dhe të paaftë që të dalin ditën e zgjedhjeve, gjithsej kanë arritur 38 kërkesa dhe prej tyre janë pranuar 24 kërkesa. Pra këta qytetarë do të mund të votojnë ditën e premte ku anëtarët e komisioneve do të shkojnë në shtëpitë e tyre ku do të realizojnë të drejtën e votës. Votim do të ketë edhe në burgun e Tetovës, kurse poashtu të drejtë vote kanë edhe ata që janë në arrest shtëpiak”, deklaroi Nazmi Dauti, sekretar i Komisionit Komunal Zgjedhor.

Në zgjedhjet e 20 gushtit garojnë 11 lista të partive politike dhe dy lista të pavarura. Zgjedhjet mbahen të shtunën duke filluar nga ora 7 e mëngjesit kur edhe hapen kutitë e votimit, ndërsa procesi zgjedhor mbyllet në orën 19.00.

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) informon se për shkak të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Komunës së Tetovës dhe kryetarëve të Komunës së Mavrovës dhe Rostushes dhe Qendër Zhupës prej 19 gusht fillon heshtja zgjedhore dhe do të zgjatë deri në ora 19:00 të 20 gushtit.

Gjatë kohës së heshtjes zgjedhore ndalohet paraqitja mediatike e pjesëmarrësve në fushatë zgjedhore.

 

Shkupi