Aktualitet 7 Qershor 2022, 07:56

“Të zhveshur dhe të uritur”, letra e Shtjefën Kurtit, drejtuar Atit të Shenjtë në Vatikan

Shkruar nga Pamfleti
“Të zhveshur dhe të uritur”, letra e Shtjefën Kurtit,

“Të zhveshur dhe të uritur”, letra e Shtjefën Kurtit, drejtuar Atit të Shenjtë në Vatikan

Klerit i takonte të qëndronte jashtë politikës, por jo dhe indiferent ndaj saj, pasi si institucion ishte i detyruar të angazhohet në mbrojtjen e të drejtave njerëzore, politike dhe fetare të katolikëve. Nga ana tjetër, me gjithë qëndrimin tejet armiqësor të pushtetit, Kisha qe korrekte në zbatimin e detyrimeve që rridhnin nga funksioni i saj. Shteti i kërkoi Kishës bashkëpunim me rastin e regjistrimit të popullsisë, pasi dispononte regjistrat e lindjeve (pagëzimeve) të popullsisë katolike.

Qeveria Demokratike e Shqipnisë.

Komiteti Ekzekutiv i këshillit Nac.ÇL të N/Prefekturës Tiranë

Zyra e regjistrimit

Nr. 4 prot.

Vdekje Fashizmit

Liri Popullit

Tiranë më 22.IX.45

Kryesisë së Kishës Katolike                  Tiranë

Landa: Mbi regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë.

Si kundër ashtë njoftue edhe me anën e shtypit e të Radios, në bazë të vendimit të Këshillit Antifashist N.Ç. më datë 30 shator 1945, ditën e Djelë, do të kryhet regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë.

Regjistrimi do të bahet brenda nji dite dhe atë ditë qarkullimi kryekëput do të jetë i ndaluem, me përjashtim të personalitetit që merren me shërbime publike të domosdoshme, të cilët do të jenë pajisë me nga nji letër – leje qarkullimi dhe me nji shirit të bardhë në krahun e majtë, që do t’ju lëshojë kjo Zyrë. Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij regjistrimi në pikëpamje kombëtare, jeni të lutun që të bahet një fushatë e favorshme edhe me anën tuaj me anën e predikimeve në faltoret, duke vënë në dijeni popullin për këtë punë dhe të ftohen të tregojnë të vërtetën mbi pjesëtarët e familjes e, sidomos mbi moshën e tyre etj., gjeneralitetet që do t’iu kërkohen nga ana e nëpunësve të regjistrimit.

Famullia e Kishës Katolike asht e lutun për me u’a njoftue këtë shkresë gjithë Kishave Katolike të këtij qyteti.

Përfundimi pritet deri ditën e Hanë më 24/XI/1945

Kryetar i Zyrës Regjistrimit                                                                                                                                                     Vangjel Noti

Për të krijuar një atmosferë festive në qytet, autoritetet shtetërore e kishin përfshirë Kishën Katolike në programin e ceremonive të festës me detyrën modeste që të binin kambanat e Kishës në një periudhë kohore nga ora 7.00 deri në orën 9.00, mesa duket, përpara fillimit të parakalimit tradicional, në momentin e grumbullimit të qytetarëve.

V.F. L.P.

Republika Popullore e Shqipnisë

Komisioni i Festës së Ditës 1 Maji

                                           Famullis Katolike                                                                                                                                                                      Tiranë

Me rastin e Festës 1 Majit, lutemi të përshëndetet kjo ditë me anën e kambanave dhe sirenave duke kumbuar dhe fishkëllyer këto, më dt. 1.V.1946, prej orës 7-9 të mëngjesit vazhdimisht.

P. Komisionit e festës 1 Maji

Ferdi Tirana

Edhe si subjekt juridik, kisha iu përgjigj me korrektësi shtetit në lidhje me pronat që dispononte etj.

Tiranë, më 14.6.1946

Republika Popullore e Shqipërisë

Komiteti Ekzekutiv i K.P.T.N./Prefekturës

Tiranë

        Nr.15/1018 prot.        

Komiteti Katolik këtu

Me rastin e tarifimit të tatimit mbi ndërtesa e troje dhe në bazë të shpalljes, dt.19.V.1946, lutemi t’na dërgoni nji listë me pronat si : shtëpi, dyqane e troje që ky Komitet posedon, të shoqërueshme me kontrata ose matjet e teknikut, t’ue theksue edhe qiratë që kini marrë për ato prona gjatë vjetit 1945.

Lutemi qi listat t’na dërgohen sa më shpejt.

Për Komitetin Ekzekutiv të KP të N/Prefekturës.

Përgjegjësi Financier

                                    Mehmet Kruetani

Dhjetë ditë më vonë, Kisha Katolike e Tiranës, i kishte dërguar atij Komiteti Ekzekutiv dokumentet e kërkuara, deklaratat e specialistëve në lidhje me saktësinë e matjeve të kryera.

Tiranë 24 Qershor 1946

Zyra Famullitare e Kishës Katolike Tiranë

Prot.Nr.136/46

PT Komiteti Ekzekutiv i KP të N/Prefekturës Tiranë

Sekcjonit Financjar

Përgjigje shkresës s’Uej Pr.Nr.15/1018 dt.14.VI.1946

Zyra Famullitare Katholike e Tiranës Ju dërgon:

 Famullitari-Dekan                                                                                                      

                           Don Shtjefën Kurti

Në fund deklarimet mbyllen me një deklaratë të gjeometrit :

V.F. L.P.

                                    Deklaratë

I nënshkruemi, Gjeom. Anton Delhysa, vërtetoj se në matje të bame të ndërtesës së Kishës Katholike, Shetitorja “Shqipnija e Lirë” Nr. …, ku banon Famullitari i Kishës, për caktimin e qerasë mujore në baz të ligjit të ri, e cilla rezulton si vijonë:

Ndërtesa asht: Grupi A, kateg. E zona e parë.

Sypërfaqja e banesës m2-133, 70×2.00-Fr.Shq.267.40

Lloj e botimi, minus 10%…………………….Fr.Sh.26.70

240.70

Sypërfaqja e oborrit m 2- 73.00×10-Fr.Shqi.7.3

Nji ankes dhe nji garazh 40.0 dhe 20.0 –Fr. Shq.60.0

308.00

Shuma Fr. Shq. 308.00

 Gjeometër                                                                          

                           Anton Delhysa

Siç shihet, bashkëpunimi midis shtetit dhe Kishës pothuajse nuk ekzistonte. Kisha nuk konsiderohej më si institucion me vlerë për shoqërinë, por si një qendër reaksionare që punonte kundër politikës së shtetit dhe meqenëse qeveria identifikohej me shtetin, edhe kundër interesave shtetërore. Të punoje në ato kushte siç bënë klerikët katolikë, apo të bashkëpunoje me shtetin persekutor, ishte një sakrificë e madhe, të cilën mundën ta bënin vetëm klerikët katolikë që ishin të frymëzuar nga jeta dhe sakrificat e Krishtit.

I DËNUAR ME SHUMË VITE HEQJE LIRIE

Me vazhdimin e fushatës së arrestimeve, Shtjefën Kurti e dinte se po i vinte radha edhe atij, por kjo parandjenjë nuk e ligështoi dhe as nuk e ndaloi për asnjë çast në kryerjen e misionit të tij. Duke përfaqësuar para institucioneve shtetërore kishën katolike nën akuzë, kleri i të cilës ishte arrestuar, torturuar dhe po likuidohej, ai vazhdoi të denonconte para autoriteteve shtetërore, çdo shkelje të ligjit në fuqi, pra të ligjit të miratuar nga vetë pushtetarët e rinj, që zbatimin e atyre ligjeve e bënin vetëm kur u interesonte. E një rëndësie të madhe është letra drejtuar Atit të Shenjtë, ku Dom Shtjefni i tregon Atij disa të vërteta, që nuk duhej ta kalonin kurrë kufirin e rrethuar nga telat me gjemba.

Letra e Dom Shtjefën Kurtit dërguar Atit të Shenjtë

Edhe pse unë jam vetëm një meshtar i thjeshtë, marr guximin, për hir të respektit ndaj lirisë, të ve në dukje Shenjtëria Juaj sa vijon, meqenëse m’u dha kjo mundësi për ta bërë: ndërsa një gjë e tillë do të ishte absolutisht e pamundur për të Përndritëshmit Ipeshkëvit e Urdhërit tonë. Atë i Shenjtë, do të jetë e dhimbshme ajo që do të vë në dukje, por është i vetmi ngushëllimi i joni që të derdhim në zemrën engjëllore të Atit hidhërimin e përbashkët, me të cilin është i mbushur plot shpirti jonë i krishterë dhe prej meshtari.

Kleri laik dhe ai rregulltar, jeton në një epokë vërtetë të persekutimit të dhunshëm. Të gjitha aktivitetet tona, në të gjitha fushat tashmë janë shfuqizuar, dhe jo vetëm kaq, por gjithashtu çdo gjë është shkatërruar pjesërisht, duke u bërë subjekt i një mbikëqyrje të vazhdueshme. Janë mbyllur seminaret qoftë ai Papnor i Shkodrës, qoftë ai i Françeskanëve dhe i Jezuitëve, duke ndjekur udhëzimet despotike të sugjeruara nga bolshevikët rusë, të mprehura edhe më tepër nga urrejtja satanike e udhëheqësve tanë.

Radhët e dëshmorëve shtohen çdo ditë; në burgje, tortura të tmerrshme u bëhen pa dallim të gjithëve; mijëra burra, gra, të moshuar dhe fëmijë, të zhveshur pothuajse plotësisht dhe të uritur, dërgohen në kampe përqendrimi në vendet më të izoluara dhe sëmundjeprurëse, brenda shtëpish pa dyer dhe dritare, të detyruar të punojnë gjithë ditën në një punë sfilitëse vetëm për një copë bukë. Me qëllim që të dobësojnë gjendjen fizike të të burgosurve dhe për t’i bërë ata të vdesin nga lodhja dhe tuberkulozi, me një dispozitë të kohëve të fundit, u është ndaluar familjeve të tyre t’u sjellin ushqim. Përveç këtyre përdhosjeve dhe privimeve, Kleri vajton vdekjen e dhunshme të nëntë priftërinjve, të paraprirë nga tortura të papërshkrueshme që përsëriten, ndërsa vazhdojnë të vuajnë në burgjet e ashpra, nëntëmbëdhjetë të tjerë dhe çdo ditë na brengosin arrestime të reja.

Në momentin që shkruaj më erdhi lajmi i arrestimit të tre priftërinjve dhe një numër i madh nga popullsia, katolikë dhe myslimanë: njëri nga këta tre meshtarë, mbajti meshën e tij të parë (Meshën e parë solemne) më datën 8 të këtij muaji. Për më tepër, secili prej nesh e pret të njëjtin fat me qetësi dhe vetëdije se do të ndodhë. Ne dhe populli katolik nuk mund të shpresojmë, të gëzojmë të drejtat e qytetarëve, për arsye se ne jemi të njohur si të varur nga Vatikani. Kushdo që do të kërkonte të na mbronte, pas një kohe të shkurtër, vetëm për këtë fakt e kanë futur në burg. Kush është me Selinë e Shenjtë, pa dyshim konsiderohet si reaksionar dhe armik i qeverisë aktuale komuniste.

Vazhdimisht në gazetat javore, në fjalimet publike, në revistat humoristike, në transmetime në radio, dhe me çfarëdo lloj mjeti tjetër, vënë në lojë dhe sulmojnë fenë, liturgjinë, Vatikanin dhe Personin Tuaj të nderuar, duke i bërë të gjithë katolikët dhe shpirtrat e ndershëm të besimeve të tjera, të jetojnë me ankth. Të gjithë jemi të gatshëm të durojmë, por të tallen me zëvendësin e Jezu Krishtit në tokë e mbush shpirtin tonë me një hidhërim të pafund, që vazhdon të shtohet duke i acaruar plagët e dhimbjes sonë të pamasë. Nuk ka asnjë lloj lirie, mungon liria e fjalës, liria e mendimit, ajo e shtypit. Kjo është vetëm në duart e qeverisë ateiste dhe askush nuk mund të hedhë poshtë gabimet që propagandon.

Kush guxon të kundërshtojë zhduket nga shoqëria njerëzore, pa u ditur se çfarë i ka ndodhur…! Shenjtëri, shumë gjëra të tjera mbeten për t’u zbuluar, por më duhet të kufizohem vetëm për aq sa kam thënë më sipër, duke hedhur me nxitim këto rreshta, nga frika që mos të më kapin duke shkruar. Përsëri shpreh dhimbjen time, pasi po hidhëroj shpirtin e ëmbël të Shenjtërisë Tuaj me këtë përshkrim të dëshpëruar. Duke u gjunjëzuar në këmbët e Shenjtërisë Suaj, që i puth me nderim, Ju kërkoj me përulësi Bekimin Atëror Apostolik për mua, për Klerin e Tiranës, të Kryedioqezës, për popullin dhe për të gjithë, mbarësi dhe urim për një të ardhme më të mirë, dhe mbi të gjitha për të na mbështetur në këtë luftë sot, pa e humbur kurajën ndaj besimit tonë dhe për lidhjen e patundur me Personin Tuaj të nderuar”.

Pas një angazhimi të madh në mbrojtje të lirive demokratike në vend, që e kishte bërë me rastin e mbrojtjes së Kishës dhe të klerikëve të saj, Dom Shtjefni e kishte të qartë se po shkonte me vetëdije drejt burgut, siç kishte ndodhur me klerikë të tjerë. Ai e thotë në një rast:”…po pres dita ditës që të arrestohem”. Pasi kishte përcjellë me dhimbje arrestimet e njëpasnjëshme të kolegëve të tij dhe kishte përjetuar vuajtje të thella shpirtërore për shkak të torturave, burgosjes dhe vrasjes së tyre, më 27 tetor 1946, arrestohet vetë i akuzuar si kriminel lufte dhe armik i popullit.

Shtjefën Kurti ishte marrë së pari në pyetje më 8 nëntor 1946; herën e dytë më 18 nëntor 1946; herën e tretë më 26 dhjetor të vitit 1946; herën e fundit më 19 janar 1947. Dosja ishte dorëzuar para Prokurorit Ushtarak të Garnizonit të Tiranës Kapiteni II-të, Petrit Hakani më 13 prill 1947, i cili do të përfaqësonte akuzën në gjyq. Trupi gjykues me përbërje: Major Gjon Banushi, kryetar; Nëntoger Rushit Kananaj, antar; Vasil Karajani, antar aspirant dhe sekretar Ilia Xheka, filloi gjykimin më 16 prill dhe po atë ditë u bë dhe mbrojtja. Meqenëse nuk kishte zgjedhur avokat mbrojtës, vetë Gjykata i caktoi avokat Burhan Rusi.

 Procesi gjyqësor

           Akuza e formuluar në momentin e arrestimit të Shtjefën Kurtit ishte:

Në kohën e okupacionit ka qenë agjent i Jakomonit dhe ka bashkëpunuar kundra Lëvizjes Nacionalçlirimtare; ka qenë anëtar udhëheqës dhe organizues i organizatës fashiste të Sami Qeribashit dhe veproi si ndërlidhës i saj me organizatën Demokristiane në Shkodër dhe me kriminelët e arratisur të Veriut me anë të Anton Dukagjinit, si dhe bashkëpunoi me agjentë të reaksionit të huaj. Ka vepruar si agjent i reaksionit të huaj, të cilit i ka ndihmuar me vepra spiunazhi, duke u dorëzuar sekrete shtetërore dhe ka nxitur shtetet e huaja për ndërhyrje të armatosun kundër pushtetit popullor. Ka bërë kontrabandën e monedhave të huaja, duke fshehur 3000 e ca dollarë, me qëllim që të mos i denonconte.

Akuzat kishin të bënin thjeshtë me veprimtarinë e tij fetare, kur si klerik Kurti u kishte shërbyer të gjithëve dhe kishte kryer vetëm detyrën, pa e tejkaluar as lënë mangët. Sipas akuzës të pandehurit Don Shtjefën Kurti dhe Pjetër Meshkalla, kanë bashkëpunuar ngushtë me okupatorin dhe kanë kontribuar në stabilizimin e regjimit të tyre në Shqipëri. I pandehuri Dom Shtjefën Kurti, në kohën e okupacionit italian, ka qenë Kapelan i vilës së Jakomonit, ku ka kryer shërbime informative në favor të fashizmit”. Në lidhje me këtë akuzë, avokati mbrojtës ishte shprehur në gjyq: “Shtjefën Kurti është emëruar nga eprorët e tij Kapelan në kishën e Pallatit të Jakomonit dhe shkonte një herë në javë atje. Njohjen me Jakomonin dhe familjen e tij e ka për shkak të detyrës. Nga qela e tij në Pallat e dërgonin me veturë dy ushtarakë, Kapiten Paci dhe Kapiten Kola, oficerë të Mëkëmbësisë”.

Akuza ishte shprehur se: “paga e tij për shërbimet e supozuara të spiunazhit ishte e barabartë me atë të ministrave të qeverisë komuniste”. Avokati mbrojtës kishte sqaruar se: “Dom Shtjefni merrte një rrogë prej 500 frangash shqiptare për shërbimet në Pallat”. Ndërsa në lidhje me akuzën tjetër se: “Jakomoni për shërbimet e tij të spiunazhit i kishte dhuruar një makinë”, avokati kishte sqaruar se: “Mëkëmbësi i Përgjithshëm u kishte dhuruar nga një makinë të gjithë krerëve të bashkësive fetare në vend dhe Shtjefni e kishte marr këtë makinë për shkak të detyrës dhe jo për ndonjë shërbim të kryer”. Akuza kishte përmendur dhe faktin se pas aksidentit në Kodrat e Rrashbullit, për shëndetin e tij ishte interesuar vetë Jakomoni, që e kishte dërguar për kurim në Itali, një veprim që do ta bënte kushdo si detyrim ndaj udhëheqësit të tij fetar. Memorie.al- Vijon nga numri i kaluar

Dossier