Politike 6 Nëntor 2022, 15:37

Tensionet në veri të Kosovës, Begaj bisedë telefonike me Osmanin: Të vazhdohet dialogu me Serbinë

Shkruar nga Pamfleti
Tensionet në veri të Kosovës, Begaj bisedë telefonike me

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidente e Kosovës, Vjosa Osmani në lidhje me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Begaj bën me dije se fokus i bisedës ishte dorëheqja e përfaqësuesve të Listës Serbe në Kosovë nga institucionet shtetërore dhe bllokimin e funksionimit të tyre.

“Sot zhvillova një bisedë telefonike me homologen Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës. Gjatë bisedës u informova mbi situatën e tensionuar në Veri të Kosovës dhe kryesisht u ndalëm në dorëheqjen e përfaqësuesve të Listës Serbe në Kosovë nga institucionet shtetërore dhe bllokimin e funksionimit të tyre.

I shpreha shqetësimin Presidentes Osmani dhe njëkohësisht inkurajova vazhdimin e dialogut mes palëve, duke patur në vëmendje ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe të integritetit territorial të Kosovës të garantuara nga NATO. Mbetet madhor interesi i integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.”, shkruan Begaj.

Në Kosovë, zyrtarët e Listës Serbe u  larguan nga institucionet. Katër kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposavicit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, kanë dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen.

Në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të komunës veriore po ashtu edhe këshilltarët nga radhët e Listës Serbe kanë vendosur të largohen nga posti.

Ish-kryetari i Mitrovicës Veriore, Milan Radojeviç, ka thënë se arsyeja e dorëheqjes së tij është situata aktuale politike e shkaktuar nga lëvizjet e njëanshme të pushtetit në Prishtinë.

Dorëheqjen e dhanë edhe zyrtarë të Listës Serbe si dhe udhëheqësit në sistemin gjyqësor.

Ata kanë bërë të ditur se nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Albin Kurtit  të tërheqë vendimin për targat dhe të filloi punën për formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Në pikën kufitare në Jarinjë, është shtuar numri i pjesëtarëve të misionit EULEX.

Aktualisht, situata është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident.

Politike #Begaj osmani Situata në veri të Kosovës