Politike27 Dhjetor 2022, 22:59

Tensionet në veri të Kosovës, Berisha: NATO e BE të ndërhyjnë, Putini i vogël kërkon të hapë konflikt të ri në rajon

Shkruar nga Pamfleti
Tensionet në veri të Kosovës, Berisha: NATO e BE të

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me situatën e rëndë në veriun e Kosovës. Sipas Berishës, Aleksandër Vuçiç po kërkon të hapë një konflikt në rajon, në shërbim të Rusisë.

Ai shprehet në rrjetet sociale se NATO dhe BE duhet të ndërhyjnë për tu dhënë fund provokimeve të Vuçiçit.

Duke shprehur mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike për Kosovën dhe autoritetet dhe popullin e saj, dënoj me forcën më të madhe veprimet luftënxitëse të ‘Putinit të vogël’ të Beogradit, që janë të koordinuara me ‘Putinin e madh’ të Kremlinit, si akte që kanë për qëllim sabotimin, pa u shtruar për negociata të planit Franko – Gjerman për marrëveshjen Prishtinë-Beograd, duke hapur një konflikti të ri në rajon. I bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe Bashkimit Europian të ndërhyjnë me urgjencë për bllokimin e skenarit të Beogradit, të mbështetur nga Rusia, të një konflikti të rrezikshëm në rajon”, shprehet ai.

Berisha është ndalur dhe te vendosja e ushtrisë serbe në kufi. Sipas Berishës, Vuçiç prodhon vetëm lajme të rreme, teksa shtoi se barrikadat janë ngritur nga bandat kriminale.

Presidenti i serbomadhisë, Aleksandër Vuçiç, ka përqendruar trupa të shumtë ushtarake dhe policore në kufi me Kosovën, i ka vendosur ato si asnjëherë më parë në gjendje gatishmërie luftarake të shkallës më të lartë dhe çdo tre orë trillon vetë lajme të rreme mbi incidente dhe zhvillime të pandodhura në veri të Kosovës me qëllim që të mund t’i përdorë ato si pretekst për të nisur një luftë në veri të Kosovës.

Ndërkohë në terren bandat e armatosura kriminale serbe dhe mercenarët e Wagnerit, shtojnë barrikadat, hedhin granata dhe shkrehin breshëri kundër gazetarëve, rrëmbejnë qytetarë serb por edhe shqiptarë”, ka shkruar ai.

Politike Berisha Dhune Vucici