Politike12 Gusht 2018, 09:19

Tensionohen marrëdhëniet qeveri-presidencë, shtatori vjen me dy çështje të bujshme që pritet të shkaktojnë akoma më sh

Shkruar nga Pamfleti
Tensionohen marrëdhëniet qeveri-presidencë, shtatori vjen me dy

Tensionohen marrëdhëniet qeveri-presidencë, shtatori vjen me dy çështje të bujshme që pritet të shkaktojnë akoma më shumë përplasje mes Ramës dhe Metës

Marrëdhëniet mes qeverisë dhe Presidencës pritet që të tensionohen akoma dhe më tepër. Kthimi për rishqyrtim i dy ligjeve nga presidenti Ilir Meta solli përplasje të forta mes tyre, por vjeshta do të jetë akoma dhe më e ashpër. Shtatori ka dy çështje të bujshme, marrëveshjen e detit dhe kreun e KLSH. Sa i takon çështjes së kufirit ujor, Meta ka dhënë sinjale se nuk do e zhbllokojë, por pritet që të ndërhyjnë ndërkombëtarët dhe të zgjidhin situatën.

Çështja e KLSH pritet të shkaktojë akoma dhe më shumë përplasje mes Ramës dhe Metës. Bujar Leskajt i mbaron mandati i tij 7 vjeçar në krye të këtij institucioni dhe sipas përcaktimeve në Kushtetutë dhe ligj, emrin e ri e propozon Presidenti dhe më pas është Kuvendi që bën votimin e tij.

Presidenti i Republikës 60 ditë para mbarimit të mandatit 7-vjeçar të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ose menjëherë në rast se mandati përfundon në mënyrë të parakohshme, krijon një komision të posaçëm përgjegjës për njoftimin e kandidatëve, për mbledhjen e dosjeve personale të tyre, për përgatitjen e listës me emrat e kandidatëve që plotësojnë kriteret, si dhe për përgatitjen e relacionit për Presidentin”, thuhet në nenin 25 të ligjit.

“SOT” ka mësuar se kreu i shtetit ka nisur tentativat që të hyjë në negociata me qeverinë për të marrë ai drejtimin e KLSH. Ky institucion është shumë i rëndësishëm, pasi ai dërgon pas hekurave të gjithë emrat e korruptuar. KLSH ka kallëzuar penalisht mbi 700 zyrtarë kohët e fundit dhe Meta po teton të sigurojë kontrollin e këtij institucioni, me qëllim që të nisë sulmet ndaj qeverisë. Por deri më tani kryeministri nuk ka lëshuar pe. Arsyeja që Meta po mban peng dhe kreun e SHISH është pikërisht lufta për kapjen e institucioneve. Po bëhet gati një vit nga kërkesa e Ramës për të dekretuar Helidon Bendon si pasardhës të Visho Likës dhe presidenti nuk ka bërë asnjë lëvizje.

Arsyeja është se Meta kërkon pazar që njëri prej tyre të jetë i emëruari i tij. Shefi i qeverisë deri më tani nuk ka lëshuar pe, pasi bëhet fjalë për dy pozicione të rëndësishme. Nëse Meta merr SHISH, qeveria ka frikën e përgjimeve, kjo pasi nuk është hera e parë kur ky institucion është përdorur për përgjim të kundërshtarëve. Visho Lika përgjoi një numër të madh deputetësh në 2013. Sa i takon KLSH është një institucion shumë i rëndësishëm që kontrollon performancën e institucioneve shtetërore dhe ai mund të përdoret për goditje të zyrtarëve të caktuar. Për këtë arsye vjeshta do të sjellë një betejë të ashpër mes Ramës dhe metës, e cila nuk dihet e si do të përfundojë. Deri më tani kryeministri ka shmangur kritikat për presidentin, ndërsa ky i fundit nuk ka kursyer thumbimet. Madje në disa raste është rreshtuar dhe krah opozitës.

Politike Edi Rama Ilir Meta