Kronike 8 Shkurt 2023, 16:00

Tentuan të shesin mina me telekomandë, policia vë në pranga dy persona në Vlorë

Shkruar nga Pamfleti
Tentuan të shesin mina me telekomandë, policia vë në pranga

Policia e Vlorës ka arrestuar dy të rinj, të cilët prodhonin mina të telekomanduara dhe më pas iu a shisnin ato grupeve të ndryshme kriminale, për një vlerë monetare që kapte shifra deri në 10 mijë euro. Të dy të arrestuarit ishin të lindur në Pukë, por jetonin në Tiranë.

Gjatë prangosjes së tyre, në një lokal, në lagjen “28 Nëntori”, iu gjetën 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë.

Ndërkohë hetimet po vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.

Njoftimi Policisë:

Tentuan të shisnin mina me telekomandë, për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 000 euro, lokalizohen dhe vihen në pranga 2 shtetas, në qytetin e Vlorës.

Sekuestrohen 3 mina të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Himarë, si rezultat i një hetimi disa javor me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të minave me telekomandë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Knockout”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

1.U., 31 vjeç dhe A. Q., 21 vjeç, të dy lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Pas lokalizimit dhe prangosjes së këtyre shtetasve, në një lokal, në lagjen “28 Nëntori”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj tyre, i gjetën 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do t’i shisin minat, për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 000 euro.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Kronike Mina telekomandë Vlorë