Dhëndri i Qasim Sejdinit, i njohur në Elbasan si një kriminel ordiner që vret e pret njerëz në rrugë vazhdon të mbetet i pandëshkuar për shkak të pushtetit që i jep vjehrri. Problematiku Sokol Sanxhaktari më 30 korrik 2020 akuzohet se ka vrarë ish-mikun e tij Florian Lamçja, i njohur me nofkën ‘Flor Qorri’.
Viktima dhe Sanxhaktari prej kohësh i kishin ndërprerë marrëdhëniet e tyre miqësore por natën e krimit ata janë takuar në lagjen “Luigj Gurakuqi”, Elbasan, në një lokal në qendër të qytetit.
Sanxhaktari dhe Florian Lamçja pasi konsumuan disa herë lëndë narkotike në banjën e lokalit përfunduan duke shkëmbyer dhunë verbale dhe e kërcënonin njëri-tjetrin me pistoleta, të cilat i mbanin mbi tryezë. Situata më pas degjeneroi në përleshje fizike ku u përfshi edhe Ardiano Hajraraj, i arrestuar për akuzën e vrasjes në bashkëpunim.
Prokuroria ditën e krimit urdhëroi edhe arrestimin e Mehmet Muçës dhe Amadeus Lamçja. I pari sipas Prokurorisë akuzohet për fshehjen e dy pistoletave, ndërsa i dyti akuzohet se furnizoi me kokainë të gjithë personat që ndodheshin në tavolinën me Sanxhaktarit dhe se ka qenë dëshmitar okular i krimit, por ketë fakt e ka fshehur për hetuesit.
Ende nuk është e qartë se kush ishte motivi i sherrit mes Sanxhaktarit dhe viktimës. Burime nga vendi i ngjarjes thanë për “Pamfletin” se Florian Lamçja ishte zhveshur lakuriq dhe u gjet pa shenja jete në lokalin ku ndodhi vrasja. Nga përleshja mes tyre nuk janë përdorur armë, por Sokol Sanxhaktari dhe miku i tij e kanë goditur me sende të forta në kokë.
“Kur shkuam në vendin e ngjarjes, Lamçen e gjetëm të zhveshur në lokal, vetëm me mbathje. Kjo ishte një metodë për ta poshtëruar viktimën. Vdekja i ka ardhur nga goditjet e rënda që ka marrë në kokë, sepse hematomat ishin shumë të rënda. Plagë kishte edhe në trup, por në kokë dhe fytyrë ishte shumë i dëmtuar”, thanë burimet për Pamfletin.